Të paktën 300 izraelitë janë vrarë dhe dhjetëra janë kidnapuar në sulmin që ndodhi nga militantët palestinezë të shtunën, ka bërë të ditur Ambasada e Izraelit në Turqi, duke cituar deklaratat e Ministrisë së Shëndetësisë të Izraelit, bën të ditur BBC.

Rreth 2000 persona po trajtohen në spitale në jug të Izraelit, 19 prej tyre në gjendje të rëndë. Në total 313 palestinezë janë vrarë e afro 2000 janë lënduar në sulmet ajrore izraelite në Gaza.

Ndërkohë autoritetet e Izraelit kanë bërë të ditur se janë vrarë edhe qindra palestinezë të armatosur që ishin futur në territorin izraelit. Po ashtu nga Ushtria e izraelit është thënë se dhjetëra palestinezë janë burgosur.

Izraeli më herët tha se po merret me militantë në tetë lokacione.

Izraeli pretendon se ka vrarë mbi 400 militantë palestinezë

 

Afro 100 civilë e ushtarë izraelitë janë kidnapuar, thotë Ambasada izraelite në SHBA

Ambasada e Izraelit në SHBA ka thënë se rreth 100 civilë e ushtarë izraelitë janë kidnapuar nga militantët palestinezë gjatë sulmit të së shtunës, raporton BBC.

Në postimin në platformën “X”, Ambasada ka thënë se mbi 300 izraelitë janë vrarë dhe afro 1800 janë lënduar.

Ndërkohë të dielën grupi Hezbollah në Liban ka lansuar mortaja në drejtim të Mount Dov. Hezbollah ka thënë se sulmi është bërë në “solidaritet ndaj rezistencës palestineze”.

Si kundërpërgjigje Izraeli ka goditur infrastrukturën e Hezbollahut në zonën Jabal Rus.

Izraeli nis sulmet në Liban

Së fundmi është bërë e ditur se Izraeli ka nisur sulmet në Liban. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë njoftuar se po kryejnë sulme artilerie në Liban pasi ka pasur të shtëna në territorin izraelit.

Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit ka thënë se të shtënat ndodhën në zonën e malit Dov, një pjesë toke e pretenduar nga Izraeli, Libani dhe Siria pranë kryqëzimit të të tre vendeve.

Izraeli ka paralajmëruar lëvizjen militante të Hezbollahut të Libanit që të mos përfshihet në luftime. Hezbollahu është një organizatë politike, ushtarake dhe shoqërore islamike shiite që zotëron fuqi të konsiderueshme në Liban. Ashtu si Hamasi, ai mbështetet nga armiku kryesor i Izraelit, Irani. Ajo zhvilloi një luftë njëmujore me Izraelin në vitin 2006.