Aktivistët e opozitës në Sudan kanë thënë se 100 protestues janë vrarë nga forcat e sigurisë së këtij shteti gjatë përleshjeve që janë zhvilluar në kryeqytetin e vendit, Khartoum.

Mjekët që bashkëpunojnë me opozitën thanë se 40 trupa të njerëzve janë nxjerrë nga lumi. Raportohet se civilët po sulmohen nga një grup i frikshëm paramilitar. Këshilli Ushtarak Kalimtar, i cili është aktualisht në pushtet, është zotuar se do të zhvillojë hetime për këto vrasje.

Banorët e Khartoumit i thanë BBC-së se janë duke jetuar në frikë pasi anëtarët e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë i kanë pushtuar rrugët. Kjo njësi paramilitare, e cila më parë është njohur me emrin Milicia Janjaweed,  u bë e njohur në konfliktin e Darfurit në Sudanin perëndimor më 2003.

“Dyzet trupave të martirëve tanë u nxorën nga Nili dje”, thuhet në deklaratën e Komisionit Qendror të Mjekëve Sudanez, e cila u publikua në rrjetin social, Facebook.

Një zyrtar i këtij grupi i tha BBC-së se ata i kanë parë trupat nëpër spitale dhe se shifra e të vdekurve tashmë ka shkuar në 100.

Një ish-zyrtar i sigurisë tha se disa prej personave të hedhur në lumin Nil ishin rrahur, ishin qëlluar për vdekje, ose ishin prerë me shpata të gjata, shkruan “BBC”.