Një studim i ri ka treguar që vaksinat e koronavirusit të ri (COVID-19) mund të mos funksionojnë aq efektivisht për njerëzit obezë, të cilët gjithashtu rrezikohen 48 për qind më shumë të vdesin nga vuris, njoftuan mediat lokale.
Banka Botërore e ka autorizuar Universitetin e Karolinës së Veriut (UNC) në Chapel Hill të SHBA-së për të analizuar të dhënat globale nga vende si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Kina, Franca dhe Italia.
Studimi tregoi se njerëzit me mbipeshë janë 113 për qind më të predispozuar të shtrohen në spital për shkak të COVID-19, 74 për qind me më shumë gjasë për të hyrë në kujdes intensiv dhe 48 për qind më shumë për të vdekur.
“Është një rritje 50 për qind në thelb. Ky është një numër mjaft i frikshëm. E gjithë kjo në të vërtetë është shumë më e lartë se sa prisja”, tha profesori i UNC-së Barry Popkin, i cili drejtoi studimin, për gazetën britanike “The Guardian”.
“Ne e dimë që një vaksinë për COVID do të ketë një efekt pozitiv te njerëzit me mbipeshë, por, bazuar nga të gjitha njohuritë tona nga testet mbi vaksinën SARS dhe vaksina ndaj gripit, dyshojmë se ajo do të ketë një përfitim të zvogëluar në krahasim me të tjerët”, shtoi Popkin.
Obeziteti rrit mundësinë e sëmundjeve të zemrës, diabetit të tipit 2, rezistencës ndaj insulinës dhe inflamacionit, dhe të gjitha këto rrisin rreziqet nga koronavirusi.
Bashkautorja Melinda Beck u citua nga The Guardian duke thënë se “Të gjithë këta faktorë mund të ndikojnë në metabolizmin e qelizave imune, gjë që përcakton se si trupat reagojnë ndaj patogjenëve, si koronavirusi Sars-CoV-2”.
“Individët me obezitet gjithashtu kanë më shumë të mundësi të përjetojnë sëmundje fizike që e bëjnë më të vështirë luftimin e kësaj sëmundjeje, siç është apnea e gjumit, e cila rrit hipertensionin pulmonar, ose një indeks të masës trupore që rrit vështirësitë gjatë trajtimit me intubacion në kushte spitalore”, tha Beck.
Mbi 40 për qind e amerikanëve dhe 27 për qind e të rriturve në Britani janë në mbipeshë, sipas të dhënave qeveritare.
Comments are closed for this post.