Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi qëllimin e ri të imunizimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), që deri më 4 korrik 70 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) duhet të pranojnë së paku një dozë të vaksinës kundër COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kërkesa për vaksina ka rënë ndjeshëm në të gjithë vendin, veçanërisht në disa shtete që refuzojnë disa ose të gjitha dozat e dhëna atyre në baza javore.

Për të përshpejtuar procesin e vaksinimit, Qeveria Federale do të japë disa nga këto doza fillimisht në zonat me kërkesë më të lartë.

Administrata deklaroi se teprica do t’u transferohet atyre që janë ende duke pritur për shpërndarjen e dozave për të përmbushur kërkesën.

“Ju duhet të vaksinoheni. Edhe nëse shanset për t’u sëmurë rëndë janë të vogla, pse të rrezikoni? Mund të shpëtojë jetën tuaj ose të dikujt që e doni”, tha presidenti amerikan nga Shtëpia e Bardhë.

Deri më tani, më shumë se 56 për qind e popullsisë së rritur amerikane kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa rreth 105 milionë janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. Qëllimi i administratës së Biden-it është të vaksinojë plotësisht të paktën 160 milionë banorë.