“Çdo kush që është qytetar i këtij shteti mbetet i tillë, por çështja është nëse jeton këtu apo është shpërngulur për më shumë se 1 vit. Ai që është larguar për më tepër se 1 vit llogaritet si jo rezident, pra jashtë shtetit si qytetarë i Maqedonisë së Veriut i larguar për më shumë se 1 vit”, këtë deklaratë e dha shefi i Qeverisë Zoran Zaev dy ditë më parë.

Kundër kësaj deklarate ka reaguar, juristi Jeton Shasivari i cili në një prononcim ekskluziv me shkrim për Neës33 ka thënë se nuk janë me rëndësi dëshirat e kryeministrit Zaev, por sipas Shasivarit, me rëndësi është se çfarë Ligji për regjistrim do të miratojë Parlamenti i RMV-së

“Në Propozim-Ligjin për Regjistrim i cili gjendet në procedurë parlamentare, nuk ka specifikim ligjor të kohëzgjatjes së punës ose qëndrimit të përkohshëm të personave-shtetas të RMV jashtë vendit, pra, askund nuk operohet me termet: “qytetar rezident” ose “qytetar jo-rezident” ose “që jeton më shumë se 1 vjet në RMV” ose “është shpërngulur më shumë se një vjet nga RMV” kështu që kuptimin e këtyre termeve duhet ta sqarojë vetë kryeministri Zaev”, tha fillimisht Shasivari për News33.tv

Nga ana tjetër, Shasivari shton se ajo që është me rëndësi të theksohet, është dispozita e nenit 8 të këtij propozim-ligji ku parashihet se….

“Për personat-shtetas të RMV-së të cilët përkohësisht punojnë ose qëndrojnë jashtë vendit, të dhënat e tyre të regjistrimit (sikurse janë të dhënat demografike, etnike, religjioze, ekonomike, arsimore, kulturore, etj.) i jep personi i moshës madhore që më së miri i njeh ata, me ç ’rast e jep numrin amë të vetin si dhe numrin amë të personit për të cilin i jep të dhënat e regjistrimit”, deklaroi Shasivari.

Në fund Shasivari shtoi se për këta persona parashikohet edhe vetë-regjistrimi në mënyrë elektronike në periudhën nga 1 marsi deri më 21 prill 2021 në një aplikacion të veçantë që do të jetë në dispozicion në faqen e internetit të Entit Shtetëror për Statistikë, prandaj sipas kësaj, është i qartë qëllimi i ligjvënësit që edhe këtë kategori të shtetasve ta përfshijë në popullsinë e gjithmbarshme të RMV-së.

E vet kryeministri Zaev sot deklaroi se edhe në rast se ndonjë person regjistrohet si jo-rezident, nuk i mohohet e drejta e votës.