Qeveria e Serbisë, sipas paralajmërimeve, pritet që në seancën e sotme të vendosë për dërgimin e kërkesës në KFOR për dërgimin e forcave të sigurisë në Kosovë.

Këtë e ka paralajmëruar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë adresimit të tij në fillim të kësaj jave. Atë ditë, ai tha se të enjten, Serbia edhe zyrtarisht do ta paraqesë kërkesën zyrtare në KFOR për rikthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë sipas Rezolutës 1244, të cilën përfaqësuesit serbë e lajmëruan pas vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.

Megjithatë, edhe pse tha se do ta bëjnë këtë kërkesë në KFOR, Vuçiç u shpreh skeptik se kjo kërkesë do të pranohej.

SHBA-ja nuk pajtohet me dërgimin e forcave serbe në Kosovë. I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në prag të takimit me Vuçiçin, tha se SHBA-ja është kategorike kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë.

Edhe pas takimit me Vuçiçin, ai përsëriti se SHBA-ja “refuzon kategorikisht kthimin e Ushtrisë serbe në veri të Kosovës”.

“Ne nuk duhet ta militarizojmë këtë krizë. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, ky është momenti për të përdorur diplomacinë, dialogun dhe kompromisin, si dhe imagjinatën, për të imagjinuar se çfarë sjell e ardhmja e rajonit”, tha Escobari.

As Gjermania nuk e përkrah dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë është i papranueshëm.

E njëjta tha se Kosova i uli tensionet suke vendosur t’i shtyjë zgjedhjet në komunat veriore, ndërsa shtoi se “retorika e fundit e Serbisë” po e bën të kundërtën.

Kundër kësaj ideje kanë dalë edhe institucionet e Kosovës, të cilat këtë retorikë nga ana e Serbisë e kanë konsideruar si luftënxitëse.

Çka thotë Rezoluta 1244 për çështjen e kthimit të forcave serbe në Kosovë?

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

“Pas tërheqjes, një numri të caktuar të personelit serb dhe jugosllav do t’i lejohet kthimi në Kosovë për t’i kryer funksionet e mëposhtme:

– Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

– Shënjimi/pastrimi i fushave të minuara;

– Mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe;

– Mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”, shkruan në aneksin 2 të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së për Kosovën.