Mos-arritja e një marrëveshje për ligjin e Prokurorisë Publike ka prolonguar vazhdimin e seancës së Komisionit për çështje evropiane ku duhet të miratohen ose të hidhen poshtë amendamentet e partive politike. Kreu i komisionit Artan Grubi thotë se seanca do të vazhdojë sapo të ketë një marrëveshje.

Tashmë lam hapësirë për t’i harmonizuar qëndrimet mbi amendamentet e mbetura të cilat gjithsej në numër janë 41 prej të cilave 10 janë të VMRO-DPMNE-së dhe pasi të harmonizohen ato amendamente të vazhdojmë me ditën e fundit të punës në seancën e Komisionit për çështje Evropiane për arsye të afateve”-tha Artan Grubi, kryetar i Komisionit për çështje evropiane.

Përplasjet më të mëdha janë pikërisht për 10 amendamentet e VMRO-DPMNE-së. Dilemat kanë të bëjnë me të ardhmen e Prokurorisë Speciale, bartjen eventuale të prokurorëve dhe të punësuarve të PSP-së në prokurorinë e re si dhe vazhdimësinë e lëndëve ose hetimeve të Speciales të proceduara pas 30 qershorit 2017.

Unë mendoj se negociatat kanë marrë nje kahje dhe ka përafrim por kuptohet, ka edhe dallime të cilat akoma nuk mundemi t’i tejkalojmë. Presim që gjatë ditës ose nesër, sepse nuk kemi shumë kohë, të vazhdojnë negociatat”-theksoi Sonja Mirakovska, deputete e LSDM-së.

Duhet të jetë drejtësi. Prandaj kërkojmë të ketë jo vetëm negociata të mira por të ketë vlera evropiane dhe, atë për të cilën do të merrmi vesh në negociata, nesër të respektohet. Jo vetëm të sillet ligj dhe nesër të kemi përsëri përndjekje të opozitës, LSDM-ja të ketë përsëri prokurori të sajën me të cilën të mund të bëjnë arrestime të reja dhe të hapin hetime të reja vetëm për VMRO-DPMNE-në”-theksoi Vllado Misajllovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Komisioni për çështje evropiane duhet ta mbyllë debatin për dy ditë pune. Në ditën e parë të debatit, të enjten, u miratuan 10 amendamente mes të cilave rritja e buxhetit për prokurorinë, rritja e përgjegjësisë së prokurorëve, heqja e imunitetit të tyre dhe shkurtimi i pushimit për nëpunësit në prokurori.