Rusia raportoi të mërkurën 929 viktima nga koronavirusi – shifra më e lartë ditore në këtë vend, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar, raporton REL. Në total, numri i viktimave nga koronavirusi në Rusi ka kaluar 212,000 dhe kjo është shifra më e lartë në Evropë.

Rusia ka regjistruar zyrtarisht më shumë se 7.6 milionë raste të të infektuarve.

Numri i rasteve atje është në rritje qysh në muajin gusht, kryesisht për shkak të variantit Delta të koronavirusit, i cili është më ngjitës.

Disa vaksina të prodhuara në Rusi janë në dispozicion tash e sa muaj, por një pjesë e madhe e popullsisë është skeptike ndaj vaksinimit.

Sipas ueb-faqes Gogov, e cila mbledh të dhëna për koronavirusin në rajonet e Rusisë, më pak se 30 për qind e popullsisë ruse është vaksinuar plotësisht deri më 6 tetor.

Përkundër rritjes së numrit të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi, zyrtarët nuk kanë vendosur kufizime të mëdha.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të mërkurën se izolimet do të ishin “një skenar absolutisht i padëshirueshëm për çdo rajon”.