Komisioni Evropian konsideron se forcat politike të Maqedonisë duhet të gjejnë marrëveshje për zëvendësimin e Katica Janevës në pajtim me ligjin dhe potencon se nuk ka kurrfarë roli në këtë proces.

“Themelimi i Prokurorisë Speciale Publike në Maqedoninë e Veriut ishte pjesë e marrëveshjes së Përzhinos, mes të gjitha partive politike kryesore në vend”, thotë për MIA-n, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e KE-së.

Ajo përkujton se Kuvendi e miratoi ligjin me të cilin u themelua PSP dhe e emëroi Katica Janevën në funksionin e prokurores kryesore.

“Zëvendësi ose zëvendësja e saj do të emërohet sipas ligjeve relevante në Maqedoninë e Veriut dhe Bashkimi Evropian nuk ka pasur dhe nuk ka kurrfarë roli në këtë proces”, shton zëdhënësja, e pyetur për koment rreth diskutimeve të lidhura me procedurat për emërim të prokurorit të ri special.

Komisioni Evropian nuk i komenton publikisht as detajet e negociatave mes pushtetit dhe opozitës për të ardhmen e PSP-së, as rasti “Reket”, por burime të këtij institucioni të cilët nga afër i ndjekin ngjarjet në Maqedoninë e Veriut, thonë se ajo që është më e rëndësishme për Brukselin si dhe për vendet anëtare të BE-së, është hetim i shpejtë, por efikas dhe transparent.

Ne nuk besojmë në persona, por në institucione, thonë nga Komisioni Evropian, në atë gjithmonë kemi insistuar në porositë dhe në raportet tona.

“Fakti që Katica Janeva është e komprometuar nuk do të thotë se tërë institucioni është i tillë”, konsiderojnë në KE dhe presin hetim të paanshëm dhe zgjidhje për PSP-në e cila do të mundësoë të kthehet besimi në gjyqësi dhe në shtetin juridik në vend.

Nga kjo në masë të madhe do të varet edhe vendimi për datën e negociatave për Maqedoninë e Veriut e cila pritet në tetor, përkujtojnë në Bruksel.