Përkundër faktit se jeta në fshat shihet si shumë e shëndetshme, larg ndotjes, zhurmës dhe ritmit të qytetit, një studim i fundit i Eurostatit doli me rezultate interesante dhe në mospërputhje me intuitën. Sipas këtij studimi, të moshuarit e BE-së që jetojnë në qytet e vlerësojnë gjendjen e tyre shëndetësore më mirë sesa ata që jetojnë në fshat.

Karakteristikat sociale dhe mjedisore të zonave urbane duket se luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e gjendjes shëndetësore të popullsisë.

Tetë vende anëtare të BE-së raportuan mbi 50% të njerëzve të moshës 65 vjeç e lart që jetojnë në qytete me gjendje të mirë ose shumë të mirë shëndetësore. Përqindjet më të larta u regjistruan në Irlandë (66%), Suedi (64%) dhe Belgjikë (60%). Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta u regjistruan në Lituani (11%), Letoni (15%) dhe Portugali (21%).

Ndër vendet e BE-së, diferenca më e madhe në përqindjen e të moshuarve që jetojnë në qytete që raportojnë gjendje të mirë ose shumë të mirë shëndetësore krahasuar me mesataren kombëtare u regjistrua në Slloveni. Sipas Eurostatit, në këtë vend edhe 7 për qind e atyre që jetojnë në qytet kanë thënë se kanë shëndet më të mirë, krahasuar me mesataren kombëtare të së njëjtës moshë, pasuar nga Bullgaria dhe Kroacia me 5 për qind më shumë.

Nga ana tjetër, në Luksemburg, Holandë dhe Francë është e kundërta, pra më të shëndetshëm ndihen të moshuarit në fshat sesa në qytet. Përqindja e personave të moshës 65 vjeç e lart që raportuan gjendje të mirë ose shumë të mirë shëndetësore në këto 3 vende ishte më e ulët në qytete sesa në nivel kombëtar.