Pas votimit të djeshëm të interpelancës për Prokurorin e Përgjithshëm, Ljupço Kocevski, ai sot nuk u deklarua për mosbesimin e shprehur ndaj tij dhe se si do të veprojë. Edhe pse interpelanca në vetvete nuk nënkupton shkarkim, qeveria pret që ai të japë dorëheqje. Për momentin nuk ka qëndrim nëse, në rast se Kocevski nuk jep dorëheqje, do të aktivizohet iniciativa për shkarkimin e tij, e cila është paraqitur që në shkurt të këtij viti.
Me një qëndrim të ngjashëm doli edhe VMRO-DPMNE, nga ku u theksua se Maqedonisë i nevojitet një Prokurori e pavarur nga ndikimet politike dhe e bënë thirrje Kocevskit të japë dorëheqje. Sipas kësaj partie, LSDM dhe BDI e mbrojnë Kocevskin dhe në këmbim, ai i ka mbrojtur ata.
Interpelanca për Kocevskin u dorëzua nga partia ‘E Majta’, e cila thekson se ai duhet të largohet nga pozita e Prokurorit të Përgjithshëm për shkak të mosfunksionimit dhe ndikimeve politike. Kocevski më parë, në një përgjigje me shkrim drejtuar Kuvendit, deklaroi se detyrën e ushtron me ndershmëri dhe përgjegjësi, dhe se interpelanca është e paligjshme dhe përbën ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Ai i hodhi poshtë akuzat për çfarëdo ndikimi nga partitë politike.
Comments are closed for this post.