Qeveria e Gjermanisë miratoi të mërkurën një plan për liberalizimin e rregullave për përdorimin e kanabisit, duke i hapur udhë mundësisë që vendi anëtari Bashkimit Europian, me popullsinë më të madhe, të dekriminalizojë zotërimin e një sasie të caktuar të kësaj substance dhe të lejojë anëtarët e “klubeve të kanabisit” ta blejnë atë për qëllime argëtimi.
Projektligji, është hapi i parë i një plani me dy pjesë dhe duhet të miratohet në Parlamenti. Por miratimi nga qeveria, është pjesë e një projekti reformues të koalicionit të socialdemokratëve të qendrës së majtë të drejtuar nga kancelari Olaf Scholz, edhe pse larg synimit fillestar të tij.
Projekligji, që qeveria shpreson të nisë të zbatohet deri në fund të këtij viti, parashikon që të jetë e ligjshme mbajtja e një sasie kanabisi deri në 25 gramë dhe lejimi i qytetarëve që të rrisin vetë deri në 3 rrënjë kanabis.
Banorët e Gjermanisë që janë mbi 18 vjeç, do të lejohen të jenë pjesë e “klubeve të kanabisit”, klube me një numër prej maksimumi 500 anëtarë. Klubi do të lejohet të kultivojë kanabisin me qëllim përdorimin personal nga anëtarët e tij.
Individët do të lejohet të që blejnë deri në 25 gramë kanabis në ditë, ose maksimumi 50 gramë në muaj, kjo shifër zbret në 30 gramë për individët nën 21 vjeç. Nuk do të jelohet anëtarësia në më shumë se një klub kanabisi.
Projektligji parashikon se shpenzimet e klubeve do të mbulohen nga tarifat e anëtarësimit, të cilat do të variojnë në bazë të sasisë së kanabisit që përdor një anëtar.
Qeveria planifikon ndalimin e reklamimit ose sponsorizimit të klubeve dhe konsumi i tij do të lejohet në një distance prej 200 metrash nga shkollat, këndet e lojërave dhe objektet sportive, ose godinave pranë klubit të kanabisit.
Zyrtarët vendas shpresojnë se plani do të ndihmojë në mbrojtjen e konsumatorëve ndaj produkteve të kontaminuara dhe në uljen e krimit të lidhur me drogën. Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach tha se ai pret që falë këtij mekanizmi “çmimi të jetë shumë konkurrues”, “çka do të çonte në një zmbrapsje të tregut të zi “.
Aktualisht, “kemi rritje të konsumit, konsum problematik,” u tha ministri Lauterbach gazetarëve. “Thjesht nuk mund të vazhdohet kështu.”
Opozita e qendrës së djathtë argumenton se qeveria po ecën përpara me legalizimin e një droge të rrezikshme pavarësisht pengesave ligjore evropiane dhe opinionit të ekspertëve. Një organizatë që përfaqëson gjyqtarët gjermanë thotë se ka të ngjarë që plani të rrisë, në vend që të ulë, barrën në sistemin gjyqësor dhe madje mund të rrisë kërkesën për kanabis në tregun e zi.
Edhe disa prej atyre që mbrojnë përdorimin e kanabisit nuk janë të kënaqur me planin.
“Ministria e Shëndetësisë po bën mbi rregullim. Po përballemi me një stigmatizim të vazhdueshëm ndaj përdoruesve të kanabisit dhe një kuadër të ngushtë rregullator, që thjesht e bën të pamundur punën për shumë e shumë [klubesh kanabisi]”, tha Oliver Waack-Jürgensen. i cili drejton “klubin social të kanabisit” me qendër në Berlin, i themeluar vitin e kaluar. Ai është gjithashtu anëtar bordi i një shoqate kombëtare që përfaqëson klube të tilla.
Ministri Lauterbach hodhi poshtë kundërshtimet.
“Fakti që po sulmohet nga të dyja palët është një shenjë e mirë”, tha ministri. Ai shtoi se “miratimi i më shumë lehtësirave, si për shembull në Holandë apo disa shtete amerikane, do të kishte çuar në rritjen e konsumit”.
Ligji do të shoqërohet me një fushatë që synon të sensibilizojë të rinjtë ndaj rreziqeve të konsumimit të kanabisit.
Plani, është shumë larg variantit origjinal të vitit të kaluar, i cili parashikonte lejimin e shitjes së kanabisit për të rriturit në të gjithë vendin, në pika të licencuara. Plani u rishikua pas bisedimeve me komisionin ekzekutiv të Bashkimit Europian.
Në vende të tjera në Evropë, rregullat mbi kanabisin janë të ndryshme. Holanda ndërthur dekriminalizimin me pak rregullim të tregut.
Autoritetet holandeze tolerojnë shitjen dhe konsumimin e sasive të vogla të substancës në të ashtuquajturat kafene, por prodhimi dhe shitja e sasive të mëdha të kanabisit, të nevojshme për të mbajtur kafenetë të furnizuara, mbetet e paligjshme.
Në Zvicër, vitin e kaluar, autoritetet i hapën udhë një projekti pilot që u lejon disa qindra njerëz në Bazel ta blejnë kanabisin në farmaci, për qëllime rekreative.
Qeveria çeke ka punuar për një plan të ngjashëm me atë të Gjermanisë për të lejuar shitjen dhe përdorimin për qëlllime argëtimit të kanabisit, por ende nuk është finalizuar.
Kryeqyteti i Danimarkës, Kopenhageni, propozoi legalizimin e kësaj substance, por parlamenti e hodhi poshtë këtë nismë. Franca nuk ka në plan të liberalizojë rregullat e saj të forta mbi përdorimin e kanabisit.
Comments are closed for this post.