Turqia ka çelësin për të zgjidhur konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Këtë e vërteton besimi që Kievi dhe Moska kanë për udhëheqësit e këtij shteti. Presidenti rus, Vladimir Putin, në një bisedë telefonike me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, i tregoi atij kërkesat ekzakte që ka për të nënshkruar një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Ato bien në dy kategori, sipas zëdhënësit të Erdoganit, Ibrahim Kalin, që foli për BBC gjysmë ore pas përfundimit të bisedës telefonike, pjesë e së cilës ishte dhe ai. Katër kërkesat e para, sipas Kalinit, nuk janë të vështira për t’u përmbushur nga Kievi. Mes tyre është pranimi i neutralitetit dhe mosanëtarësimi në NATO, gjë e cila ka ndodhur tashmë dhe aprovuar nga Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ka edhe kërkesa të tjera në këtë kategori, të cilat më së shumti duken të jenë elemente që të shpëtojnë fytyrën për palën ruse. Ukraina do të duhej t’i nënshtrohej një procesi çarmatimi për të siguruar që ajo të mos jetë një kërcënim për Rusinë. Gjuha ruse në Ukrainë do të duhet të mbrohet dhe ka diçka që quhet denazifikimi, çështje e cila nuk është shpjeguar shumë nga Moska.
Por, kjo kërkesë konsiderohet fyese për Presidentin Zelensky, pasi është hebre dhe disa të afërm i kanë vdekur gjatë Holokaustit. Por, Turqia, që ka ndërmarrë rolin e ndërmjetësuesit, beson se këto do të jenë të lehta për t’u pranuar nga Ukraina. Kategoria e dytë sjell dhe vështirësitë dhe presidenti rus, Vladimir Putin, i tha Erdoganit se për këtë duhen negociata ballë për ballë me presidentin ukrainas, përpara arritjes së një marrëveshjeje për këto pika.
Nga ana e tij, Zelensky është shprehur i gatshëm të takohet me homologun rus dhe madje e ka kërkuar një gjë të tillë vazhdimisht. Zëdhënësi i presidencës turke nuk dha shumë detaje për këtë pjesë të kërkesave, por njoftoi se përfshijnë diskutime për statusin e krahinës së Donbasit, në të cilin dy republika vetëshpallën pavarësinë dhe për Krimenë e aneksuar. Ka supozime që Putin do të kërkojë nga Zelensky që të bëjë lëshime territoriale, por kjo është një vijë e kuqe për Ukrainën. /A2CNN
Comments are closed for this post.