Instituti i Serumit i Indisë, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë, thotë se do të duhet kohë deri në vitin 2024 që e gjithë bota të vaksinohet kundër koronavirusit.

“Realisht për të gjithë botën, për të gjithë në këtë planet, ose të paktën 90 për qind, për ta marrë atë, do të duhet kohë të paktën deri në vitit 2024” tha për CNN-in, Adar Poonawalla, CEO dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Serumit të Indisë.

Poonawalla tha se disa nga sfidat e marrjes së vaksinave nga pika e hulumtimit dhe miratimit deri tek dërgimi i tyre tek pacientët, përfshijnë rritjen e prodhimit të vaksinave dhe mbledhjen e miliarda dollarëve për të financuar prokurimin e dozave të nevojshme.

Ai tha se administrimi i vaksinave në disa shtete dhe vende komplekse është gjithashtu një sfidë.

Instituti Serum i Indisë po punon me pesë krijues të vaksinave COVID-19 dhe po përgatitet të bëjë qindra miliona doza.