Presidentja e Republikës së Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova, sot në Ohër është nikoqire e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po zhvillon një vizitë pune në Maqedoni.
Takimi zyrtar ndërmjet dy presidentëve do të mbahet në vilën qeveritare “Biljana” në Ohër, ku është planifikuar një takim dhe drekë pune mes dy krerëve të shteteve. Vizita ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe thellimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve fqinje.
Gjatë pasdites, Presidentja Siljanovska Davkova dhe Presidenti Begaj do të vizitojnë objekte kulturore dhe historike në qytetin e Ohërit, duke treguar interes të përbashkët për trashëgiminë dhe pasurinë kulturore të rajonit.
Mbrëmja do të kulmojë me pjesëmarrjen e të dy presidentëve në hapjen zyrtare të festivalit tradicional “Vera e Ohërit”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Maqedoni.
Vizita vlerësohet si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve dhe në promovimin e bashkëpunimit rajonal.
Comments are closed for this post.