Në Maqedoninë e Veriut me shtimin e rasteve të reja dhe në numër rekord të infektimeve me Kovid-19, do të aplikohen masa të reja parandaluese.

Një prej tyre është kufizimi i numrit të mysafirëve nëpër ambientet familjare.

“Ndalimi i grumbullimeve familjare, festave dhe ahengjeve në kushte familjare, pasi që analizat kanë treguar se infektimet janë rritur pikërisht për shkak të këtyre aktiviteteve. Nëpër shtëpi mund të pranohen jo më shumë se katër mysafirë, me qëllim të evitimit të kontakteve me më shumë njerëz.”, theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai njoftoi se Qeverisë i janë dorëzuar propozim-masat që do të miratohen dhe se ato pasojnë pasi që janë shtuar numrat e infektimeve, edhe ate 364 gjatë ditës së djeshme nga mbi 2100 testime të kryera.

Por, ministri i MPB-së, Oliver Spasovski tha se kjo masë do të rishqyrtohet.

“Janë ofruar propozime të caktuara për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Një propozim i tillë ndoshta është propozuar për të zvogëluar përhapjen e virusit, por duhet theksuar se e drejta e garantuar me kushtetutë për paprekshmërinë e shtëpisë mbetet. Është shumë më e rëndësishme që çdo qytetar të jetë i vetëdijshëm për mbrojtjen, sepse festime të tilla çuan në përhapjen e Covid-19. Nëse ka një raport të caktuar, duhet të veprohet, por Kushtetuta duhet të respektohet. Ne do të veprojmë së bashku me prokurorinë. Unë pres që ta analizojmë këtë propozim”, theksoi Spasovski për TV Sitel.

Sipas tij, të gjithë qytetarët duket se i kanë harruar masat dhe prandaj, siç tha ai, duhet të jemi të vetëdijshëm nëse nuk duam që të vendosen kufizimet më rigoroze.

Këto janë propozim masat që do të miratohen dhe do të hyjnë në fuqi:

Ndalimi i grumbullimeve familjare, festave dhe ahengjeve në kushte familjare, pasi që analizat kanë treguar se infektimet janë rritur pikërisht për shkak të këtyre aktiviteteve. Nëpër shtëpi mund të pranohen jo më shumë se katër mysafirë, me qëllim të evitimit të kontakteve me më shumë njerëz.

Ndalimi i grumbullimeve në hapësira publike të jo më shumë se 4 personave pas orës 22. Ndalimi i grumbullimeve nëpër parqe, pompa benzine, etj.

Përdorimi i obligueshëm i maskave mbrojtëse apo shamive në ambiente të hapura dhe ato të mbyllura, në çdo objekt public, transportin publik si dhe vendet e punës.

Përjashtohet përdorimi i maskave gjatë aktiviteteve sportive, transportit nëpër makina familjare të anëtarëve të një familje, gjatë qëndrimit nëpër zyra të institucioneve, nëse aty është vetëm një person, si dhe gjatë qëndrimit në kafene, por duke respektuar masat e tjera. Maska nuk obligohen të mbajnë fëmijët e moshave deri në 6 vjet. (INA)