Mbi 40 mijë euro është vlera e parave të falsifikuara, të cilat ishin vënë në qarkullim në tregun e Kosovës vetëm në vitin 2020. Këto të dhëna janë të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë këtij viti janë identifikuar një numër prej 943 kartëmonedhash dhe 2,671 monedhash të falsifikuara, referuar raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.
Pjesa më e madhe e këtyre kartëmonedhave dhe monedhave, janë konfiskuar nga institucionet financiare, gjatë aktivitetit të tyre të rregullt dhe të njëjtat janë tërhequr nga qarkullimi.
Përgjatë viteve 2019 dhe 2020, sipas BQK-së, ka pasur një rënie e rasteve të kartëmonedhave të falsifikuara, por në dy vitet e fundit, ka pasur rritje të monedhave të falsifikuara.
Për dallim nga vitet paraprake kur kartëmonedhat më të falsifikuara kanë qenë ato të prerjes prej 50 dhe 100 euro, në vitin 2020, kartëmonedhat më të falsifikuara kanë qenë ato të prerjes prej 5 euro.
Ndërsa, sa i përket monedhave në vitin 2020 ashtu sikurse edhe në vitin e kaluar, monedha më e falsifikuar ishte ajo në prerje prej 2 euro.
Për vitin 2021, BQK-ja ende nuk ka pranuar të dhëna nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar këtij institucioni për të marrë të dhëna për këtë vit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.
Deri në 10 vjet burg
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas nenit 296 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë, për veprën penale ‘falsifikim i parave’, në vitin 2020 janë regjistruar 498 raste, ndërsa vetëm në gjashtë mujorin e këtij viti, janë evidentuar 508 raste, duke shënuar rritje.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë më shumë informacione për vlerën e parave të falsifikuara, të cilat janë konfiskuar gjatë këtyre operacioneve të organeve të rendit.
Vetëm në një rast, policia pati raportuar se ankuesja femër kosovare, punëtore në një bankë në rrugën “Bill Klinton”, ka raportuar se gjatë kontrollit të parave, ka vërejtur se nga persona të panjohur janë deponuar 23 kartëmonedha secila në vlerë nga 500 euro, që dyshohet se janë të falsifikuara (23×500 =11.500 euro ).
Ndërkaq, gjatë kësaj jave, Policia e Kosovës ka raportuar për konfiskim të 10 mijë dollarëve amerikanë të falsifikuara.
Paratë e falsifikuara në dëm të ekonomisë
Vënia në qarkullim e parave të falsifikuara, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi paraqet rrezik për ekonominë e çdo vendi.
Bektashi shton, se çdo shtet është i detyruar të parandalojë lëshimin e parave të falsifikuara.
“Efekti kryesor nga paratë e falsifikuara, është se tek njerëzit krijohet një mosbesim nëse ky fenomen merr përmasa më të mëdha. Efekti tjetër në përmasa më të vogla, mund të ndikojë në rritjen e sasisë së parasë në qarkullim, që në mënyrë indirekte mund të shkaktojë rritjen e nivelit mesatar të çmimeve. Problemi tjetër është se në treg gjenden më tepër para që nuk janë të lëshuara nga institucionet emetuese të parave”, thotë Bektashi.
Teknologjia e detektimit të këtyre parave të falsifikuara, shton profesor Bektashi është në nivel të lartë, pasi që aparaturat e ndryshme që posedojnë bankat në mënyrë të thjeshtë i vërtetojnë paranë e falsifikuara
“Është e pamundur që paraja e falsifikuar t’i ketë të gjitha masat mbrojtëse që i ka paraja origjinale”, shton Bektashi.
Si të mbroheni nga paratë e falsifikuara
Banka Qendrore e Kosovës tregon për tiparet e sigurisë të kartëmonedhës 5 euro, kartëmonedhë kjo e cila është më e falsifikuara në Kosovë.
Kartëmonedhat euro janë prodhuar me një teknologji të sofistikuar të shtypjes. Ato përmbajnë disa veti të sigurisë, teknologjisë më të lartë. Kjo i bën të dallohen lehtë nga ato të falsifikuara.
BQK-ja thotë se e tëra që duhet të bëhet është “ta ndjeni, shikoni dhe ta lëvizini kartëmonedhën”.
Comments are closed for this post.