Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, kërkon që ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Viktor Dimovski, të japin dorëheqje, për shkak të skandalit me nënshtetësinë e Oleksandar Onischenko.

Nga kjo parti thonë se “ky skandal e rrënon të gjithë sistemin e sigurisë dhe institucionet e shteti, si dhe e shkatërron besueshmërinë e Agjencisë për Siguri Kombëtare.

“Ligji i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare është i qartë dhe nëse do të ishte zbatuar, Onishchenko në vend që të merrte nënshtetësinë e Maqedonisë do të ekstradohej në Ukrainë. Është skandaloze që për gati dy javë institucionet në vend nuk mund të marrin vesh se si Onishchenko e ka marrë nënshtetësinë e Maqedonisë dhe kryeministri Kovaçevski në vend që të kërkojë përgjegjësi nga Dimovski dhe ta shkarkojë menjëherë, e dërgon për ambasador në Francë”.

“Deklaratat e ministrit Spasovski janë edhe më skandaloze, se fakti që Onishchenko është në listën e zezë të SHBA-ve nuk do të thotë se ai është kriminel, dhe më tej i minon pozitat dhe ndikon negativisht në rejtingun e Maqedonisë me aleatin tonë strategjik, SHBA-në. Nga “reformat e suksesshme në sistemin e sigurisë”, Spasovski mund të mburret vetëm me bashkëpunim të suksesshëm me mafiet e botës së bardhë dhe dhënien e pasaportave maqedonase për kriminelët dhe bosët e drogës”, thonë nga OBRM-PDUKM.