Koordinatori i grupit të deputetëve të OBRM-PDUKM-së Nikolla Micevski, sot në konferencë për shtyp njoftoi se partia e tyre ka dorëzuar kërkesë për interpelancë të ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski.

Ai tha se kërkojnë nga Spasovski që ta lëshojë MPB-në pasi sipas tyre, punon në mënyrë të papërgjegjshme dhe jotransparente. Micevski tha se Spasovski në vend që ta luftojë krimin, ai e nxit.

“Prej kur ai është në funksion, çdo ditë ka vjedhje, vrasje dhe dhunë. MPB vetëm bën analiza dhe nuk vepron, nuk i zbardh rastet. Për këtë arsye qytetarët e kanë humbur besimin tek policia”, tha Micevski.

Ai shtoi se Maqedonia është në fund të listës sa i përket luftës kundër korrupsionit.