Nuk ka të infektuar me linë e majmunit në vend. Dyshimet u zbardhën pasi mbrëmë, pas katër ditësh pasiguri, rezultati i testit të një personi nga Kërçova, i cili dyshohej se ishte i infektuar me linë e majmunit, doli negativ.

“Pacienti është negativ, nuk ka nevojë për izolim të mëtejshëm, mbetet vetëm të trajtohet për sëmundjen themelore, por se si do të trajtohet dhe kur do të hiqet izolimi do të vendoset nga Qendra për Shëndet Publik nga Manastiri e cila bën mbikëqyrjen shëndetësore”, theksoi zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zllate Mehmedoviq.

Edhe Ministria e Shëndetësisë, mbrëmë, po ashtu ka njoftuar se Instituti i Shëndetit Publik është njoftuar se rezultati i ekzaminimit të tamponit që i është marrë pacientit nga Kërçova që dyshohet se ka linë e majmunit ka dalë negativ.

“Kujtojmë se Instituti ka një sasi të mjaftueshme testesh për zbulimin e lisë së majmunit, ndërsa analizat kryhen sipas indikacionit të vendosur nga një specialist infektolog.

Në bashkëpunim me Komisionin për Sëmundjet Infektive dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, situata me linë e majmunëve po monitorohet me kujdes në mbarë botën”, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Deri më tani në vend janë raportuar dy raste të dyshimta me linë e majmunit, i personit nga Kërçova i cili ka refuzuar të testohet për disa ditë dhe i një imigranti i shtruar në Klinikën Infektive, i cili në test rezultoi negativ.