Në planin e prodhimit të SHA EMV është paraparë që nga muaji nëntor të funksionojnë tre blloqet në TEC Manastir. Këtë vit ne do të përpiqemi të mos bëjmë riparime klasike me ndërprerje prej 30, 60 ose 90 ditësh, por të kryhen në periudhën kur do të ketë ulje të fuqisë, pra hapësirë ​​për riparim, theksoi sot drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Vasko Kovaçevski.

Theksoi se të gjithë të punësuarit janë aktiv dhe se po zhvillohen aktivitete riparimi në TEC Manastir dhe TEC Osllomej, por, siç tha, “po bëhen edhe aktivitete teknologjike për riparimin dhe përgatitjen e minierave të qymyrit”.

“Bllok 3 në TEC Manastir është në ngecje për shkak të transformatorit të djegur shkaktuar nga ndikimi i jashtëm gjatë dhjetorit të vitit të kaluar dhe janarit të këtij viti. Për momentin transformatori ekzistues gjendet për servisim në Beograd dhe njëkohësisht është bërë edhe furnizimi publik për blerjen e një transformatori të ri i cili nuk është riparuar për 40 vjet që nga vënia në funksion e TEC Manastir. Presim që në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit njëri prej transformatorëve të arrijë dhe në fund të tetorit të jemi me kapacitet të plotë me TEC Manastir që të mund një nga blloqet t’i nënshtrohet një riparimi të shkurtër”, tha Kovaçevski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për media në Qeveri së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Më pas, nga fillimi i nëntorit deri më 30 prill derisa zgjat sezoni i ngrohjes, siç tha ai, TEC Manastir do të mund të funksionojë me tre blloqe, ose me kapacitet maksimal.

“Edhe TEC Osllomej aktualisht gjendet në ngecje për shkak të aktiviteteve vjetore riparuese që do të nënkuptojnë stabilitet dhe funksionim të vazhdueshëm të termocentralit në periudhën nga 1 tetor deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm. Prandaj edhe po bëhen furnizime shtesë të thëngjillit edhe për TEC Osllomej që të mund edhe ky kapacitet i rëndësishëm për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit energjetik të funksionojë në kondicion të plotë dhe prodhim të plotë gjatë sezonit të ngrohjes”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se SHA EMV ka shkallë të uljes në furnizimin publik për kostot joproduktive apo atyre që nuk nevojiten për këtë periudhë dhe mund të shtyhen për vitet në vijim në vlerë prej rreth 50 milionë euro.