Me një varg ceremonish sot në Krushevë fillon festimi i 121-vjetorit të Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës. Në hapjen zyrtare të manifestimit “10 ditët e Republikës së Krushevës”, nga ora 20:00 në Gumenje, do të lexohet Manifesti i Krushevës dhe do të ngrihet flamuri i Republikës së Krushevës.
Në hapje pritet të marrin pjesë edhe kryetari i komunës së Krushevës, Tome Hristoski dhe kryetari i Manifestimit, si dhe ministri i Kulturës, Zoran Ljutkov.
Manifestimi qendror, si çdo vit, do të mbahet nesër në Krushevë, në vendin Gumenje, në Meçkin Kamen. Në këtë ceremoni do të mbajë fjalim kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski. Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova do të vizitojë manastirin e Shën Prohor Pçinjskit dhe do të mbajë fjalim me këtë rast në Pelincë. Fjalimi i saj do t’i kushtohet rëndësisë historike të kësaj feste dhe rëndësisë së ruajtjes së identitetit dhe traditave kombëtare, thonë nga Qendra e Mediave e Qeverisë.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Afrim Gashi, do të vendosë lule të freskëta para përmendores së kryetarit të Presidiumit të ASNOM-it, Metodija Andonov Çento, në sheshin “Maqedonia” dhe do të mbajë fjalim me rastin e këtij manifestimi, i cili do të mbahet para ndërtesës së Kuvendit. Ky akt do të jetë simbol i respektit dhe kujtimit të të parëve tanë që hodhën themelet e vendit tonë.
Me slloganin “Beteja vazhdon”, duam të përcjellim mesazhin se ndjekja e përparimit, lirisë dhe mirëqenies së vendit tonë vazhdon, duke u mbështetur në themelet historike dhe në luftën e të parëve tanë. Ky manifestim përfaqëson një moment të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e vendit tonë, ku do të nderohen heronjtë që shënuan historinë, theksohet në njoftimin e Qeverisë. Fillimin e kryengritjes së Ilindenit e shpallën kambanat në Krushevë në mesnatën përballë Ilindenit të vitit 1903. Rreth 800 kryengritës e çliruan qytetin dhe pas dy ditësh Nikolla Karevi shpalli Republikën e Krushevës dhe u bë president i saj.
Republika e Lirë zgjati 10 ditë. Nën komandën e Bakhtiar Pashës, një ushtri prej 18 mijë osmane hyri në aksion për të rivendosur pushtetin në Krushevë. Të shtënat e fundit të Meçkin Kamenit dhe vdekja e Pitu Guli shënuan fundin e Republikës së Krushevit.
Comments are closed for this post.