Në këto zgjedhje garojnë 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare, një kandidat i pavarur, zgjedhjet po zhvillohen edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Në Kosovë kanë filluar votimet për zgjedhjet e rregullta parlamentare, pas një mandati katër vjeҫar të qeverisë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit. Qendrat e votimit gjithandej Kosovës janë hapur që nga ora 07:00 dhe do të jenë të hapura deri në orën 19:00. Të drejtë vote kanë mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës. Votuesit do të zgjedhin përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh qeverinë e re të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi u shpreh mëngjesin e së dielës se “gjithçka është gati për këtë proces zgjedhor”. Ai ftoi qytetarët me të drejtë vote që të dalin e të votojnë dhe të respektojnë rregullat zgjedhore. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 9 shkurtit pritet të dalin të dielën vonë. Më 8 shkurt për herë të parë qytetarët e Kosovës në diasporë votuan nëpër përfaqësitë diplomatike në 19 shtete të ndryshme të botës.
Në garë zgjedhore janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Katër kandidatë nga katër partitë më të mëdha garojnë për postin e kryeministrit. Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosja VV, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës PDK, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.
Votime edhe në veriun e Kosovës
Në zgjedhjet e së dielës votohet edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse në këtë pjesë disa herë janë bojkotuar zgjedhjet. Kësaj radhe marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb. Lista Serbe, deri tani partia më e madhe e serbëve, si edhe Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si dhe Nisma Qytetare, Drejtësia Popullore.
Së fundmi pati raportime, se disa parti politike serbe kanë shprehur shqetësimin e tyre se Lista Srpska që e ka mbështetjen e Beogradit në mënyrë të organizuar të mbështetur nga qeveria e Serbisë pritet të sjellin me autobus votues nga Serbia, serbë që janë edhe qytetarë të Kosovës. Ministria e Transportit e Kosovës tha, se nuk ka ndonjë kërkesë për transport shtesë me autobus nga Serbia. Zyrtarë të kësaj ministrie, thonë se institucionet nuk do të lejojnë që ditën e zgjedhjeve të hyjnë në Kosovë autobusë që transportojnë votues të organizuar pa u pajisur paraprakisht me leje të posaqme që përkon me linjat e rregullta të autobusëve Kosovë-Serbi.
Comments are closed for this post.