Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos ndërroi jetë sot në moshën 95-vjeçare në një spital në Athinë. Ai mbylli sytë përgjithmonë në orën 08:30 të mëngjesit si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve, ndërsa ndodhej prej javësh nën kujdesin e mjekëve në spital.

Kryepeshkopi pësoi hemorragji gastrike, ku pas disa ditësh mjekimi në një spital të Tiranës, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, duke bërë që më 3 janar të transportohej me urgjencë, me një avion të Forcave Ajrore, drejt Athinës.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë:

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 96-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve.

Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet.