Gënjeshtrat e Zyrës për informim pranë BFI-së

(Përgjigje shkrimit të shkruar nga Zyra për informim pranë BFI-së në RM, titulluar: “NJOFTIM”

Së pari, Këshilli iniciativ i hoxhallarëve nuk kërkon shqyrtim të vendimit për shkarkim dhe ngarkim, siç thotë Zyra për informim pranë BFI-së, por heqjen e këtyre vendimeve nga Rijaseti dhe Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Së dyti, sa i takon ‘Njoftimit’ që bën Zyra për informim pranë BFI-së, me 01 gusht 2024, të gjithë opinioni e ka të qartë se BFI e udhëhequr nga H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, vazhdon të gënjejë rregullisht. Edhe ky ‘Njoftim’ i Zyrës për informim pranë BFI-së, i kësaj date është një gënjeshtër e kulluar.

1. Prof. Dr. Qani ef. Nesimi shkarkohet nga Rijaseti e pastaj nga Reisi, ashtu siç potencohet në arsyetimin e shkarkimit, e që është një shkarkim antikushtetues, sipas Kushtetutës së BFI-së. Mbledhja e Rijasetit e mbajtur më 08.11. 2023, po të njëjtën ditë, madje ende pa përfunduar mbledhja e Rijasetit, nga ana e organit vendimmarrës të Myftinisë së Tetovës, ajo mbledhje u shpall antikushteuese, pasi nuk ishin thirrur 4 anëtarë të Rijasetit aktiv në punët e tyre dhe 5 anëtarë të Rijasetit që ishin në procedurë gjyqësore. Poashtu më 09.11.2023 në mbledhjen e Myftinisë dhe të Mexhlisit të Xhamive, shkarkimi i Myftiut prof. dr. Qani ef. Nesimi, u shpall i pavlefshëm pasi ishte antikushtetues dhe i marrur në një mbledhje antikushtetuese të Rijasetit. Pastaj Rijaseti, po në të njëjtën mbledhje antikushtetuese emëron UD Myfti antikushtetues, duke ia marrë të drejtën organit vendimmarrës të Myftinisë së Tetovës, i cili organ sipas Kushtetutës së BFI-së (Neni 30), në afat prej 30 ditësh obligohet të paraqes kandidatët e propozuar. Ky organ u privua nga kjo e drejtë kushtetuese. Prandaj Zyra për informim pranë BFI-së gënjen opinionin.

2. BFI e ka humbur gjykimin edhe në Gjykatën Themelore në Tetovë (25.12.2023) edhe në Gjykatën e Apelit në Gostivar (29.02.2024). Ajo e ka humbur gjykimin edhe në Gjykatën Themelore Civile në Shkup (03.06.2024). Gjykimet e tjera private të UD tradhtarit janë në procedurë. BFI përmend se e kanë fituar Gjykimin në Gjykatën Administrative. Gjykata Administrative ka marrë vendim se ajo nuk është kompetente për këtë çështje, jo se dikush ka humbur e dikush ka fituar. Edhe kjo është një gënjeshtër e Zyrës për informim pranë BFI-së që lëshohet në opinion.

3. Në Regjistrin Qendror ka patur ndryshim të emrit me datë 18 janar 2024. Këtë e kanë bërë antiligjërisht, pasi, deri sa procedurat gjyqësore vazhdojnë, nuk guxon të ketë ndryshime, po ja që tek ne ndodhin këto gjëra, fatkeqësisht. Kurse si rezultat i vendimit gjyqësor nga Gjykata Themelore Civile në Shkup (03.06.2024), në Regjistrin Qendror është theksuar se Myfti legjitim në Myftini të Tetovës është prof. dr. Qani ef. Nesimi. Njoftimi i Zyrës për informim pranë BFI-së është përsëri një gënjeshtër.

4. Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, nuk është uzurpator i Myftinisë së Tetovës, por ai e mbron Myftininë nga tradhëtarët e Ligjit dhe të Kushtetutës së BFI-së dhe të Shtetit. Ai zbaton vendimin e Myftinisë së Tetovës dhe të Mexhlisit të Xhamive të marrë më 09.11.2023. Zyra për informim pranë BFI-së edhe për këtë fakt gënjen.

5. Sa u takon arsyeve të shkarkimit, të gjitha janë gënjeshtra të Zyrës për informim pranë BFI-së:a. Votimi i Shaqir Fetait për Reis me 18 nëntor 2020, aspak nuk e ka prekur Qani ef. Nesimin. Ju shpifni. Kandidatura dhe prezenca e tij në zgjedhje e ka legjitimuar procesin zgjedhor. Ai asnjëherë nuk e ka kontestuar një gjë të tillë. Por atë e kanë shqetësuar rregullisht veprimet antikushtetuese të Reisit. Edhe në këtë rastë Zyra për informim pranë BFI-së gënjen opinionin.
b. Myftinia e Tetovës dhe Myftiu i saj prof. dr. Qani ef. Nesimi, asnjë vakëf nuk kanë humbur. Lënda gjyqësore për objektet të Arabatit nuk ka humbur. Ajo është e fituar në Gjykatën Supreme dhe presim ta marrim vendimin. Kurse toka e Arabatit është fituar në muajin mars 2017. Prandaj njoftimi i Zyrës për informim pranë BFI-së përmban gënjeshtra dhe shpifje.
c. Le të tregoj BFI se cilin raport nuk e ka dërguar Myftiu i Tetovës, Prof. Dr. Qani ef. Nesimi në Rijaset. Edhe për këtë gënjen Zyra për informim pranë BFI-së.
ç. Sa i takon vakëfit, të gjitha të dhënat janë në Rijaset. Ata kanë Drejtori Vakëfi. Por Zyra për informim pranë BFI-së edhe këtu gënjen.
d. Myftiu i Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi, asnjëherë nuk ka ofenduar askënd, e sidomos para shkarkimit antikushtetues të tij. Edhe kjo është një gënjeshtër e Zyrës për informim pranë BFI-së.
dh. Derisa Rijaseti mban mbledhje antikushtuese pa e thirrur Myftiun e Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimin, dhe e shkarkon atë, nuk ka asnjë kuptim thirrja e Rijasetit në mbledhje. Ne e kemi thirrur Reisin që të mbajë mbledhje me Myftininë e Tetovës, dhe të shpjegojë pse është shkarkuar Myftiu. Por Reisi nuk u përgjigj. Pra, edhe kjo është një gënjeshtër e Zyrës për informim pranë BFI-së.
e. Thuhet kinse në Myftini të Tetovës ka ardhë komision inspektues. Edhe kjo është gënjeshtër e Zyrës për informim pranë BFI-së.
ë. Shprehja: “Tentim për destabilizim”, është një gënjeshtër e kulluar e Zyrës për informim pranë BFI-së.
f. Shprehja: “Falsifikimi i dokumenteve” është ofendim i rëndë dhe gënjeshtër nga ana e Zyrës për informim pranë BFI-së.
i. UD antikushtetuesin dhe tradhtarin, në Myftini të Tetovës nuk e lë të futet vendimi i Myftinisë dhe i Mexhlisit të Xhamive të marrë më 09.11.2023. Zyra për informim pranë BFI-së gënjen edhe në këtë rast.
j. Shprehja në ‘Njoftimin’ e Zyrës për informim pranë BFI-së: “Mbajtja e zyrave të Myftinisë së Tetovës me persona me dosje kriminale që mund lehtë të shkaktojnë akte ekstremiste dhe radikaliste me mundësi të dhunës kundër imamëve apo akte të terrorit”, ofendon dhe akuzon kolegët që punojnë në Myftini mbi 20 vite, dhe të cilët kanë sakrifikuar gjithçka në mbrojtje të vakëfit dhe të institucionit fetar. Kjo është një shpifje dhe gënjeshtër me bisht e Zyrës për informim pranë BFI-së. Për këtë dhe shumë të tjera shpifësit dhe gënjeshtarët do të japin llogari.

Pra, çdo gjë më është shumë e qartë. BFI e udhëhequr nga H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, mundohet të mashtrojë opinionin brenda dhe jashtë Shtetit, kinse ata kanë të drejtë. Pas 9 muajve dhunë dhe padrejtësi nga BFI, Reisi dhe UD i dhunshëm ndaj Myftinisë së Tetovës dhe Myftiut prof. dr. Qani ef. Nesimit, e që realisht ata ia bëjnë xhematit të Tetovës, përsëri mundohen të paraqiten sikur janë të pafajshëm. Edhe udhëheqësit politik brenda dhe jashtë shtetit e dinë më të vërtetën. Ne i falënderojmë hoxhallarët, këshillat e xhamive dhe xhematin në përgjithësi që kanë ditur, dinë dhe do të dinë si ta mbrojnë Tetovën dhe tetovarët nga tradhtarët. Ne i falënderojmë organet kompetente brenda dhe jashtë shtetit që vazhdojnë të bëjnë punën e tyre në vijë ligjore.
Vijojnë edhe Vendimet:

03.08.2024

BFI – Myftinia e Tetovës