Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në Maqedoni informon se sot (3.11.2020) Policia e Austrisë, nëpërmjet Europolit, tek MPB ka dorëzuar kërkesë për bashkëpunim dhe informacione në lidhje me sulmin terrorist që ndodhi në Vjenë.
Nga lista e policisë austriake, që është dorëzuar tek policitë e disa vendeve, është konfirmuar se tre persona, përveç nënshtetësisë austriake kanë edhe nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut.
“Bëhet fjalë për K.F (i lindur në Modling, Austri), A.G (i lindur në Saint Polten, Austri) dhe U.A (i lindur në Vjenë, Austri). Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar policor pranë MPB-së, menjëherë është vendosur në dispozicion të kolegëve nga Austria dhe në mënyrë intensive bashkëpunojmë për këtë rast”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Më tej shtohet se është vendosur komunikim i drejtpërdrejtë i kryeministrave Zoran Zaev dhe Sebastian Kurz.
“Kryeministri Kurz ka shprehur falënderim për kryeministrin Zaev për solidaritetin dhe ndihmën e treguar. Kryeministrat kanë shprehur gatishmëri ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në lidhje me sulmin terrorist, nëse autoritetet austriake kanë nevojë”, thonë nga MPB.
Comments are closed for this post.