“Mijëra amerikanë do vazhdojnë të vdesin nga infektimi me Covid-19 dhe miliona të tjerë do të vijojnë të vuajnë pasojat e pandemisë”. Kështu ka deklaruar kryeveriologu amerikan i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci.

Gjithashtu eksperti kryesor i sëmundjeve infektive shtori se çdo ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës infeksioni po vret rreth 1000 persona, pavarësisht se autoritetet po mundohen ta frenojnë pandeminë.

Sipas Faucit, kjo është arsyeja pse ato pak gjëra që kemi në dorë për t’i bërë, në mungesë të vaksinës, duhet ti zbatojmë, të tilla si respektimi i distancimit fizik dhe mbajtja e maskave, për të lehtësuar sadopak dëmet shëndetësore dhe ekonomike si pasojë e koronavirusit.

Nga ana tjetër, zyrtarët shëndetësorë u kanë bërë thirrje shteteve që të zbatojnë masa më të reja dhe të rrepta izolimi dhe bllokimi, disa javë pas rihapjeve që nisën në muajin e kaluar, teksa autoritete spitalore gjithnjë e më shpesh po flasin për tejkalim të kapaciteteve në repoartet Covid dhe ato të terapisë intensive, ku trajtohen pacientët me gjendje më të renduar shëndetësore.

Ekspertët e shëndetit gjithashtu kanë rekomanduar mbajtjen e maskave nga të gjithë dhe në të gjitha vendet e mbyllura publike dhe që tubimet sociale të kufizuara në më pak se 10 persona.

Në të gjithë Shtetet e Bashkuara, të paktën 27 shtete kanë ndaluar ose anuluar planet e rihapjes dhe po planifikojnë vendosjen e kufizimeve të reja në tentativë për të dalë jashtë nga ‘pylli’ i pandemisë.