Koalicioni i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa dje paralajmëruam se do t’i tërheqin amandamentet e paraqitura në Kuvend për ligjet nga pakoja e pestë e masave ekonomike. Nga ana tjetër, OBRM-PDUKM, paraprakisht dje kumtoi se do t’i tërheqë amendamentet e paraqitura në Kuvend për Propozim ligjin për shtetësinë.

Elmi Aziri nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa deklaroi se sapo të zhbllokohet debati në Komisionin për mbrojtje dhe siguri për Ligjin për shtetësi, ata do t’i tërheqin amendamentet e tyre nga Komisioni për financa dhe buxhet për ligjet e pakos së pestë të masave ekonomike.

“I përmbahemi asaj që e kemi deklaruar paraprakisht në debatin mbi Ligjin për shtetësinë. Sapo të tërhiqen amendamentet që e bllokonin ligjin e shtetësisë, edhe ne do t’i tërheqim amendamente tona për pakon e pestë ekonomike. Në momentin kur do të tërhiqen amendamentet për shtetësinë, në atë moment do t’i tërheqim amendamentet për pakon e pestë ekonomike”, tha Aziri.

OBRM-PDUKM paraprakisht sot njoftoi se do t’i tërheq amendamentet e saj të paraqitura në Kuvend për Projektligjin për shtetësinë, të parashtruar nga koalicioni opozitar Aleanca/Alternativa.

“Ne si deputetë të OBRM-PDUKM-së dhe Koalicionit … do t’i tërheqim të gjitha amendamentet në Ligjin për shtetësinë, në mënyrë që përfundimisht të votohet pakoja e pestë e masave për të ndihmuar qytetarët dhe ekonominë”, tha koordinatori i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski.

Ai i bëri apel shumicës parlamentare që menjëherë të mbahen dhe të vazhdojnë me punë komisionet amë ku ndodhen ligjet nga pakoja e pestë e masave, dhe më pas gjatë ditës ose më së voni nesër për të mbajtur seancat plenare ku do të votoheshin këto pika.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka përgatitur një mendim juridik për pashtetësinë, duke iu referuar Ligjit për shtetësi, Ligjit për të huajt dhe Ligjit për personat e paevidentuar në Regjistrin amë të lindjeve.

“Shtetësia në Republikën e Maqedonisë së Veriut në pajtim me Nenin 3 të Ligjit për Shtetësi fitohet me: 1) origjinë; 2) lindjen në territorin e shtetit; 3) natyralizim; dhe 4) marrëveshjet ndërkombëtare. Analizat tregojnë se ekzistojnë dy kategori kryesore të personave që jetojnë për shumë vite në Maqedoninë e Veriut por nuk kanë statusin e shtetësisë: 1) personat që nuk e kanë të rregulluar statusin
pas shpërbërjes së RSFJ-së dhe 2) personat që nuk janë të regjistruar në regjistrat e lindjeve, thuhet në mendimin juridik.

Në të njëjtën kohë, thuhet se për momentin ekzistojnë mundësi ligjore për marrjen e shtetësisë të të dy kategorive të prekura.

“Thjesht duhet t’i jepet shans rregullimit ligjor ekzistues dhe deri në skadimin e afatit të datës 05.06.2021 të parashikuar në Ligjin për të Huajt dhe deri në skadimin e afatit të 30.06.2021 të parashikuar në Ligjin për Personat e paevidentuar në Regjistrin amë të lindjeve. Kjo është një periudhë prej tre muajsh në të cilën autoritetet kompetente duhet të tregojnë shkathtësi dhe fleksibilitet brenda kornizës së parashikuar nga ligji, për të krijuar një praktikë të parashikueshme dhe uniforme, përmes së cilës ata do të ndajnë me kohë të gjithë informacionin përkatës për personat dhe grupet e interesuara. Nëse statusi i personave pa shtetësi nuk rregullohet me zbatimin e dispozitave ligjore ekzistuese, atëherë shteti duhet të gjejë zgjidhje për ta, në përputhje me standardet ndërkombëtare si dhe legjislacionin dhe praktikën e Bashkimit Evropian”, thuhet në përfundimin e mendimit juridik të Komitetit të Helsinkit.

Të hënën sshtë bërë hap përpara rreth ligjit për shtetësinë, në takimin e kryeministrit Zoran Zaev me liderët e koalicionit opozitar Alternativa dhe Aleanca për shqiptarët, Afrim Gashi dhe Ziadin Sela. Ai hap përpara, siç vlerësoi dje kryeministri, do të thoshte edhe mundësi për zhbllokim të ligjeve në Kuvend, para së gjithash nga pakoja e pestë e masave për ndihmë bizneseve dhe qytetarëve, ndaj të cilave deputetët e këtij koalicioni kanë parashtruar amendamente. Kryeministri Zaev shfaqi pritje se kjo do të ndodhë në ditët në vijim.

Zaev pas takimit në Kuvend me Selën dhe Gashin deklaroi se patën përparim të dukshëm dhe hap serioz përpara në bisedime, duke cekur se deri në fund të javës në bazë të analizës të cilën ekspertët do ta bëjnë, do të mund të finishohet zgjidhja ligjore për shtetësinë.