– Pala mbrojtëse e të akuzuarve në rastin “Erasmus”, në seancën e sotme i prezantoi dëshmitë e tyre. Ndërkohë, për datën 10 janar është caktuar që të akuzuarit në këtë lëndë gjyqësore të japin fjalët përfundimtare. Ndërkohë, seanca për shpalljen e aktgjykimit është paraparë të zhvillohet më 3 shkurt, ku vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit, do ta dëgjojnë profesorët dhe demonstratorët e Fakultetit Ekonomik në Shkup, të cilët ngarkohen për marrje parash nga studentët për dhënien e provimeve.

Profesori Bobek Shuklev, edhe pse paraprakisht ishte i propozuar si dëshmitar, sot mbrojtja e tij e tërhoqi propozimin. Përderisa rrëfimin e tyre e dhanë dy të akuzuarit tjerë, demonstratori Dragan Denkovski dhe profesori Stojan Debarliev.

Demonstratori Denovski, para Trupit gjykues mohoi se ka pasur çfarëdo ndikimi mbi profesorët për kalimin e ndonjë provimi dhe se angazhimi i tij ka qenë të kujdeset për studentët që gjatë provimit mos të kopjojnë.

Ai, theksoi se në bufe ka qëndruar shpesh dhe se ka pasur urgjenca nga ish i punësuarit në bufenë e Fakultetit Ekonomik, Dejan Trajkoviq.

Ndërkaq, profesori Debarliev, tha se me studenten ka pasur raport korrekt dhe se shpesh herë ajo ka ardhur në konsultime te ai. Por, sipas tij, gjithçka ka qenë në korniza të kompetencave të tij.

Ndryshe, dëshmitari Dejan Trajkoviq, në seancën e kaluar për rastin “Erazmus”, potencoi se profesori Bobek Shuklev, ka kërkuar të ketë marrëdhënie seksuale apo t’i jepen një mijë euro për t’ia dhënë notën studentes së Fakultetit Ekonomik.

Prokuroria të akuzuarin e ngarkon mbi baza të dëshmive të cilët e vërtetojnë dyshimin e bazuar se në më shumë raste gjatë viteve 2015 dhe 2016, duke e shfrytëzuar pozitën e tyre kanë kryer më shumë vepra penale.

Profesorët e akuzuar Bobek Shuklev dhe Sllave Risteski ngarkohen për mitmarrje dhe pranim të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm, gjegjësisht të akuzuarit Debarliev dhe Denkovski, akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare.

Ndryshe, Gjykata Penale e Shkupit, të akuzuarve u shqiptoi ndalesë për ligjërata dhe aktivitete tjera të lidhur me veprën penale për të cilën ngarkohen.