Anija turke “Moliva”, që mban 102 kontejnerë ku dyshohet se ka materiale të rrezikshme, ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne (28 tetor) në Portin e Durrësit. Anija ndodhet 1.5 milje larg në radën e Portit të Durrësit, ndërsa qeveria shqiptare ka nisur hetimin lidhur me mbetjet e këtyre kontejnerëve, për të përcaktuar nëse materialet janë të rrezikshme apo jo dhe se nga ku e kanë origjinën.
Hetimet po kryhen në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit (OLAF), ndërsa më herët qeveria ka thënë se “Shqipëria nuk mund të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.
Gjithashtu Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar të 102 kontejnerët që do i nënshtrohen hetimeve të mëtejshme. Hetimet për rastisin ku dyshohet se nga Porti i Durrësit dolën mbetje të rrezikshme po kryhen nga prokuroret Suela Beluli dhe Mediana Meta. Në njoftim theksohet gjithashtu se eksportues i kontejnerëve nga porti i Durrësit është firma Sokolaj sh.p.k.
“Në funksion të këtij procedimi është e nevojshme të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse 102 kontejnerë, të cilët janë duke u transportuar në Shqipëri me anijen MOLIVA XA443A dhe që sipas informacioneve të Drejtorisë së Hetimit Doganor janë kontejnerët të cilët janë transportuar sipas deklaratës doganore R27224 datë 04.07.2024 me eksportues Sokolaj sh.p.k. dhe marrës GS Minerals Doo”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Në Portin e Durrësit ndodhen edhe përfaqësues të Rrjetit të Bazelit (BAN), të cilët ishin ata që ngritën alarmin për ngarkesa me mbetje të rrezikshme. Rrjeti Bazelit kërkon që të jetë pjesë e procesit të monitorimit të marrjes së mostrave dhe analizave të mbetjeve.
Vetë BAN thotë se dyshimet janë se mund të përmbajë pluhur toksik të furrës së çelikut. Ngarkesa u nis në muajin korrik nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, por kjo e fundit vendosi rikthimin e tyre pas duke mos pranuar ngarkesën.
Një ditë më parë edhe Partia Demokratike dhe ambientalistë protestuan në hyrje të Portit të Durrësit duke kërkuar transparencë mbi mbetjet që dyshohen se janë të rrezikshme.
Comments are closed for this post.