Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vijon të veprojë në hetimin ku biznesmenë e tregtarë të derivateve, në bashkëpunim dhe të ndihmuar nga drejtorë e të punësuar në Elektranat e Maqedonisë, kanë manipuluar procedurën e tenderimit për furnizimin e TEC Negotinës me mazut. Kjo ka ndodhur brenda harkut kohor 2021 – 2023, ndërsa buxheti i shtetit është dëmtuar për 167.5 milionë euro.

Tani për tani, listën e dyshuarve e përbëjnë gjithsej 13 persona. Drejtori Ratko Kapushevski, i cili njihet në opinion si person i afërt i Nikolla Gruevskit është në ndër emrat më të njohur, ndërkaq bashkë me të është i përfshirë edhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski apo pronari i Pucko Petroll, Asmir Jahoski. Në listën e të dyshuarve ndodhet edhe emri i ish drejtori të EMV-së, Vasko Kovaçevski i cili prej kohësh ndodhet në arrati për shkak të rastit tjetër ku ndiqet penalisht, të njohur si “Aditivët”. Më tej, padi penale është dorëzuar edhe kundër ish drejtorit të EMV-së apo funksionarit të BDI-së Ardijan Muça, por edhe kundër Erxhan Sullkoskit, biznesmeni të njohur në opinion si partner biznesi i dhëndrit të kreut të BDI-së Ali Ahmetit, Kushtrim Smajlaj. Krahas tyre, përmenden edhe persona të tjerë si Ruzhdi Ramadani, Nikolla Stojanovski, Danço Stojanovski, Emil Pecakov, Marija Neshkovska, Bllagica Markoviq, Dushica Seizovska Jovanoviq dhe Dobrilla Stefanovska.

Prej 11 marsit, në paraburgim ndodhet Kapushevski, Sullkovski dhe Muça, ndërsa tre ditë më vonë atyre iu bashkua edhe Asmir Jahoski, pas një reagimi në opinion pasi që Prokuroria dhe Gjykata kishin kursyer me arrest shtëpiak. 7 të tjerë, janë në masa kujdese, pa pasaportë dhe obligohen të paraqiten në gjykatë.

Sipas Prokurorisë kompania e Kapushevskit – RKM është favorizuar dhe me dokumente të rrejshme ka fituar tenderët për furnizim me mazut. Sipas organit të akuzës, në procedurë nuk janë respektuar parimet e proporcionalitetit, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe jodiskriminimit të operatorëve ekonomikë.

Mjetet e përfituara në mënyrë të paligjshme, të dyshuarit i kanë lëshuar në qarkullim me qëllim që të fshihet prejardhja. Me një pjesë të parave, sipas prokurorisë kanë blerë vetura luksoze, ndërkaq të tjerat i kanë transferuar në banka të ndryshme, dhe më pas i kanë tërhequr në kesh.