Autoritetet e Maqedonisë kanë njoftuar se janë duke e shqyrtuar mundësinë e furnizimit me vaksina kineze kundër COVID-19, ndonëse kanë theksuar se prioritet mbetet furnizimi përmes programit COVAX, teksa shteti po realizon bisedime të drejtpërdrejta edhe me kompaninë amerikane, Pfizer.

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, më 25 janar deklaroi për televizionin Alsat se nuk e sheh si problematike furnizimin me vaksinat e prodhuara nga kompanitë kineze edhe pse të njëjtat ende nuk janë miratuar për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave.

“Janë plotësisht të përshtatshme, dokumentet, certifikatat që të gjithë prodhuesit e vaksinave i posedojnë nga vendet amë. Mënyra në të cilën vlerësohen të gjitha rezultatet e studimeve klinike, procesi i bërjes së vaksinave, posaçërisht ato për të cilat po flasim (vaksinat kineze), janë të njohura për ekspertët tanë. Pikërisht kjo është ajo që ata kanë analizuar për pothuajse të gjitha vaksinat që tani janë në treg, kështu që nuk ka asnjë pengesë administrative dhe natyrisht, nuk ka dyshim për cilësinë e tyre”, tha Filipçe.

Ministri Filipçe shtoi se deri në fund të javës, ministria që ai drejton do të japë më shumë detaje sa i përket kontratës për furnizimin me vaksinat kineze dhe çmimin e tyre.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, kishte deklaruar për një media vendore se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s mbetet e orientuar kah institucionet perëndimore sa i përket furnizimit me vaksinat kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Vaksina të prodhuara nga Kina deri më tani ka siguruar Serbia, e cila po ashtu përdor edhe një vaksinë të prodhuar në Rusi.

Pikërisht për furnizimin me vaksina ruse dhe kineze nga ana e Serbisë, Zaev kishte deklaruar, se kjo ndodh pasi ky shtet nuk ka aspirata për t’u anëtarësuar në Aleancën veri-atlantike.

“Serbia nuk ka aspirata për anëtarësim në NATO dhe është normale të jetë më e hapur drejt Lindjes, Rusisë dhe Kinës dhe bën marrëveshje me këto vende. Ne jemi anëtar në NATO dhe në përgjithësi mbetemi të orientuar kah Perëndimi dhe vaksinat e konfirmuar nga institucionet perëndimore”, kishte deklaruar Zaev më 22 dhjetor, 2020.

Deri më tani, Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar për përdorim vaksinat kundër koronavirusit të prodhuara nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech dhe të kompanisë Moderna. Por, vaksinat kineze ende nuk janë miratuar për përdorim në vendet evropiane.

Vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe të Modernas janë krijuar duke përdorur një teknologji më të avancuar të quajtur mRNA, ndërkaq vaksinat kineze janë krijuar duke pasur për bazë një virus të dobësuar.

Vaksinat me teknologjinë mRNA, nuk përmbajnë në vete virusin, por përmes kësaj teknologjie mundësohet përpunimi i kodit gjenetik të virusit.

Serbia tashmë ka pranuar kontingjentin e parë prej një milion dozash të vaksinës së kompanisë kineze, Sinopharm. Në këtë shtet, përveç kësaj vaksine, qytetarët mund të zgjedhin të vaksinohen edhe me vaksinën ruse, Sputnik-V apo me atë të Pfizer dhe BioNTech. Ndërkaq, vendi i parë i BE-së, që ka nënshkruar kontratë për furnizim me vaksinë kineze është Hungaria.