Pasaporta-covid e Maqedonisë për udhëtim në Greqi do të jetë digjitale.

Ministria e Shëndetësisë tashmë e ka konfirmuar si do të duket pasaporta, pasi javën e kaluar Venko Filipçe, tha se ka marrë obligim për të konfirmuar detajet dhe ta njoftojë Greqinë.

Greqia ka njoftuar se që nga 14 maji, do të hap kufirin për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, por vetëm me vërtetim për vaksinim ose test negativ për COVID-19.

“Është definuar certifikata për vaksinimin kundër COVID-19. Qytetarët nëse kanë nevojë do të mund të marrin certifikatë se janë vaksinuar, e cila do të jetë digjitale, ndërsa vërtetimi që e marrin pas vaksinimit do të jetë dëshmi shtesë për vaksinimin e tij”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë për “A1on”.

Ata thonë se dokumenti akoma nuk quhet pasaportë-covid, por certifikatë pasi Bashkimi Evropian akoma nuk e ka zyrtarizuar pasaportën-covid.

“BE akoma e ka vetëm si propozim covid-pasaportën, që nuk është miratuar. Vendi ynë i ndjek rekomandimet e BE-së dhe do të përshtatemi ndaj udhëzimeve të tyre”, thonë nga MSH.

Ndryshe, të gjitha vendet e BE-së kërkojnë test negativ PCR për të hyrë në territorin e tyre, ndërsa përveç Greqisë, për momentin deri tani asnjë shtet nuk kërkon vërtetim për vaksinim.