Drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike,Sanja Lukarevska, në konferencën për media gjatë prezantimit të rezultateve të projektit aktual “TVSH-ja ime”, njoftoi se së bashku me ministrin e financave do të propozojnë ndryshime në ligjin për kthimin e TVSH-së për personat fizik.

Siç theksoi Lukarevska nga viti i ardhshëm, përkatësisht nga 1 janari 2023, kufiri i shumës së rimbursimit të TVSH-së do të rritet nga 1.800 denarë aktual në 2.100 denarë për një tremujor.

“Ju njoftoj se në periudhën në vijim, të koordinuar me ministrin e Financave, do të paraqesim propozimin për ndryshimin e ligjit për kthimin e një pjese të TVSH-së për personat fizikë. Ky ndryshim ka për qëllim rritjen e kufirit për kthimit të TVSH-së nga viti i ardhshëm, nga 1 janari 2023, në mënyrë që në vend të 1.800 denarë për tremujor, qytetarët të mund të marrin 2.100 denarë”, njoftoi Lukarevska.

Tre vite pas futjes së kësaj mase kontrollo-stimuluese e njohur si “TVSH-ja ime”, qytetarëve u janë kthyer 60.3 milionë euro, ndërsa numri i përfituesve është rreth 460 mijë./