Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut sot sërish do të diskutojnë në lidhje me propozimin nëse Dobrilla Kacarska do të zgjedhet gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

Mbrëmë seanca u ndërpre rreth orës 18:00, ndërsa kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi caktoi vazhdimin e seancës për sot në ora 12:00.

Gjatë këtyre dy ditëve opozita dhe shumica kishin akuza të ndërsjella në lidhje me këtë tema. Sipas opozitës, Kacaska nuk është propozim i duhur dhe se këtë pozitë e fiton si dhuratë për shkak se ka zbatuar urdhrat e Qeverisë. Ata kërkuan që ky propozim të tërhiqet.

Deputetët e shumicës e mbronin propozimin duke thënë se OBRM-PDUKM nuk ka të drejtë të flasë për gjyqësi për shkak se siç theksuan ata, gjatë qeverisjes së tyre gjyqësia ka qenë në nivelin më të ulët të mundshëm.

Propozimi i Kacarskës për në Gjykatë Kushtetuese vjen nga Këshilli Gjyqësoar, ndërsa ajo duhet të vijë në vend të gjyqtarit Vladimir Stojanovski të cilit i skadoi afati.