Bullgaria e lejoi fluturimin e aeroplanit të ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, që për destinacion ka Maqedoninë, ku do të mbahet Samitin i OSBE-së, kumtuan mbrëmë MPJ bullgare dhe ambasada ruse në Sofje.

“Në bazë të kërkesës nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, në cilësi të kryesuesit të OSBE-së për vitin 2023 dhe organizatorit të mbledhjes së 30-të të Këshillit të ministrave të OSBE-së në Shkup më 29 nëntor – 1 dhjetor 2023, për sigurimin e lejes për fluturim të delegacioneve për pjesëmarrje në Këshillin e ardhshëm të ministrave të OSBE-së, MPJ e Republikës së Bullgarisë dha leje për realizimin e fluturimit të Njësisë speciale të aviacionit ‘Rusia’ përmes hapësirës ajrore të Republikës së Bullgarisë për realizimin e fluturimit për transport të delegacionit për pjesëmarrje në forumin ndërkombëtar”, kumtoi MPJ bullgare.

Edhe ambasadorja e Federatës ruse në Sofje, Eleonora Mitrofanova konfirmoi se është marrë përgjigje pozitive për kërkesën për fluturim të aeroplanit të Lavrovit përmes hapësirës ajrore bullgare.

“Ministria bullgare e Punëve të Jashtme zyrtarisht na informoi se ministrit tonë iu lejua të fluturojë përmes hapësirës ajrore mbi vendin”, deklaroi ambasadorja Mitrofanova.

Shefi i diplomacisë ruse Lavrov paraprakisht dje deklaroi se do të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Maqedoni nëse Bullgaria hap hapësirën e saj ajrore për delegacionin rus.

“Me sa duket Bullgaria i ka premtuar Maqedonisë se do të hapë hapësirën e saj ajrore – nëse kjo ndodh, atëherë do të jemi atje. Pra të shohim”, tha Lavrov.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano deklaroi se udhëtimi i Lavrovit në Shkup nuk do të përbënte shkelje të sanksioneve evropiane kundër Rusisë.

“Ministri rus i Punëve të Jashtme Lavrov mund të udhëtojë në një vend të BE-së ose në Maqedoninë edhe krahas asaj se është në listën evropiane të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Vendet e BE-së mund të lejojnë fluturimin e avionit të Lavrovit, si dhe autoritetet në Shkup të japin leje për aterim dhe pjesëmarrje në takim, kjo nuk do të jetë shkelje e sanksioneve. Kjo do të na jep mundësi të qëndrojmë sy më sy me Lavrovin dhe të bisedojmë për gënjeshtrat që ai po përhap”, tha Stano në në brifingun në Bruksel.

Sipas tij, në këto takime BE mund të prezantojë vizionin e saj, ndërsa ata që janë të sanksionuar të vendosin ta ndryshojnë sjelljen e tyre destruktive.