Kryeministri shqiptar në 100 ditët e fundit të kësaj përbërje qeveritare si duket është temë e mbyllur për të gjitha partitë politike nga koalicioni qeveritar. Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski konfirmoi edhe një herë marrëveshjen që kanë me BDI-në nga viti 2020, dhe e njejta ende është në fuqi. Sipas Kovaçevskit, koalicionit apo frontit europian, duhet t’i bashkëngjiten partitë që ndajnë idetë e përbashkëta.

“Ne BDI-në kemi marrëveshje të qartë koalicionuese e cila është publike nga viti 2020. Gjithsesi se për modalitetet me ta po bisedohen mirëpo konsideroj se qëllimi për realizimin e koalicionit europian të cilën do ta udhëheqë një front i gjerë sa i përket promovimit të asaj ideje, është gjëja kyçe e cila do t’i bashkojë partitë në zgjedhjet e ardhshme.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Kovaçevski njofton se për të gjitha vendimet kadrovike që do të merren periudhën në vijim, opinioni do të njoftohen në kohë. E sa i përket Aleancës për Shqiptarët të cilët këmbëngulin të garojnë vetë në zgjedhje, Kovaçevski thotë se kur bëhen koalicione, me rëndësi është të ndahen vlera të përbashkëta, e sipas tij, ASH ka përcaktime të tilla programore.

“Shihni, nuk bëhet fjalë për bindje, qoftë të bindë unë dikë apo dikush të më bindë mua për diçka. Kur bëhen koalicione, me rëndësi është të ndahen vlera të përbashkëta. Konsideroj se Aleanca e ka atë kapacitet të bisedojë në tema të tilla duke patur parasysh potencialin e tyre kadrovik dhe përcaktimeve të tyre programore.”- pohoi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Çështjen e kryeministrit shqiptar e konfirmoi edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani. Sipas tij, për këtë çështje madje nuk ka fare hapësirë për të diskutuar.

“Kryeministër të propozuar nga BDI në 100 ditët e fundit do të ketë. Kjo është pjesë e marrëveshjes dhe për të cilën nuk ka hapësirë për të biseduar. Nuk kemi mbëri deri në atë fazë të diskutojmë si do jenë zgjedhjet në drejtim a do jenë, me çfarë koalicionime e kështu me radhë dhe me cilët kandidatë. Tani jemi në fazën e përcaktimit të datës së zgjedhjeve, edhe atë se a do jenë bashkë apo do jenë të ndara. Takimet e fundit që janë bërë me LSDM-në, ekskluzivisht janë fokusuar në këtë temë.”- tha Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.

Përndryshe së fundmi u fol se LSDM po tenton ta bindë BDI-në që të heqë dorë nga kryeministri shqiptar gjatë qeverisë teknike, si dhe të shkojnë me kandidat të përbashkët për president, si dhe lista të përbashkëta në zgjedhjet parlamentare.