Sali Berisha ka mbetur i lënduar në fytyrë pasi u godit me grusht nga një person gjatë protestës së opozitës. Pavarësisht plagëve në mollëza dhe hundë, Berisha nuk u largua dhe vijoi të mbante fjalimin e tij.

Në foto shihet se kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, ka një fryrje në mollëzën e djathtë, ku edhe u godit.

Pas incidentit lideri demokrat iu drejtua protestuesve me një mesazh në podium, ku theksoi se asgjë në botë nuk e mposht popullin opozitar.
“Asgjë në botë nuk na mposht ne popullin opozitar. Poshtë kriminelët! Ne do të triumfojmë! Rroftë opozita shqiptare! Jemi bashkë për të protestuar kundër regjimit të horrave e kriminelëve”, u shpreh Berisha.

Sipas informacioneve të para dyshohet se personi është me probleme të shëndetit mendor. Ai është identifikuar si Gert Shehu, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe me origjinë nga Tepelena./A2CNN