Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Turqisë mbajti mbledhjen e parë në përbërjen e re pas zgjedhjeve, ku u theksua rëndësia e mbështetjes turke për rajonin e Ballkanit, teksa vazhdon procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare gjithashtu konstatoi se do të vazhdojnë me të njëjtën vendosmëri hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë, paqen dhe mirëqenien e kombit turk në “Shekullin e Turqisë”, njëqindvjetorin e Republikës së Turqisë.

Këshilli u mblodh për herë të parë që kur qeveria e re mori detyrën pas rizgjedhjes së presidentit Recep Tayip Erdogan më 28 maj.

Në mbledhje u diskutuan çështje që lidhen me paqen dhe sigurinë globale, duke përfshirë luftën në Ukrainë, Sirinë, Kaukazin dhe Kosovën.

“Paqja e përhershme dhe integriteti territorial i Sirisë janë të mundshme vetëm nëpërmjet eliminimit të të gjitha grupeve terroriste,” tha Këshilli në një deklaratë, duke përsëritur “rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në lehtësimin e riatdhesimit vullnetar, të sigurt dhe dinjitoz të sirianëve në atdheun e tyre”.

Lidhur me konfliktin e vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës, i cili shpërtheu vitin e kaluar në shkurt, Këshilli tha se “Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet për paqe”.

Këshilli shprehu kënaqësinë për përparimin në bisedimet për normalizimin e lidhjeve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke thënë se “një zgjidhje e drejtë është një domosdoshmëri për paqen në Kaukaz”.

Lidhur me zhvillimet në Sudan, Turqisë u bëri thirrje palëve ndërluftuese, ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, të zgjidhin çështjet e tyre në mënyrë paqësore dhe të shpallin një armëpushim të menjëhershëm.