I pari i komunës së Tetovë, Bilall Kasami tha se, Ali Ahmeti po frikësohet nga zgjedhjet lokale dhe mundohet që t’i bojkotojë ato. Kasami tha se, kanë informacione se, brenda BDI-së diskutohet që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale, që siç thotë Kasami, në komunat kryesore, kanë problem që të gjejnë kandidat.

“Ne e shohim çdo ditë e më shumë se z.Ahmeti është i frikësuar nga zgjedhjet lokale dhe bënë çdo gjë të pamundur t’i ikë zgjedhjeve lokal edhe t’i bojkotojë ato. Informatat e tona janë se brenda BDI-së seriozisht diskutohet që mos të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe ne këtë e shohim vetëm një lëvizje të z.Ahmeti në drejtim të krijimit të alibisë së mos të marrë pjesë në zgjedhje.

Rasti i Tetovës dhe shumë komuna të tjera, ata e kanë problem të gjejnë kandidatë për të dalë në zgjedhje, për të garuar. Kjo është gjithashtu edhe në Strugë, Kërçovë, Gostivar dhe Çair. Pra në komunat kryesore, me situatën që ballafaqohen ata, nuk mund të gjejnë kandidatë dhe nuk mund të organizohen për të marrë pjesë në zgjedhje sepse, fatkeqësisht për ata, njeriu kryesor që ua organizonte gjithë kampanjën zgjedhore është në ekzil. Jo rastësisht ata kërkojnë, kanë një kërkesë që është jologjike dhe e papranueshme që bashkë me zgjedhjet lokale të vijnë edhe ato parlamentare dhe e dijnë që kjo kërkesë nuk do të pranohet”, tha Kasami.