Ish kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Tito Petkovski ka komentuar Marrëveshjen e Ohrit, dokument që doli nga lufta e vitit 2001.

Petkovski ka thënë për Rel se, konflikti i armatosur më 2001, në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si luftë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ai luftë e quan marrjen nën kontroll të territoreve.

“Nuk mund të thuhet se atë kohë luftohej për idenë për barazi për të gjithë qytetarët. Tani nga ky dimension, lufta e 2001 mund të trajtohet dhe si luftë për territore. Por, një gjë është e sigurt se konflikti i armatosur mund të mbyllej vetëm përmes një marrëveshjeje”.

“Marrëveshjet paqësore paraqesin detyrime dhe obligime për të dyja palët. Në këtë rast fraza se ‘ka fituar Maqedonia e Veriut me Marrëveshjen e Ohrit’ për mua është e papranueshme sepse në këtë rast ne kemi humbur shumë, mendoj edhe maqedonasit edhe shqiptarët. Por, marrëveshja u arrit si rrjedhojë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, që kishte interes që ta menaxhojë konfliktin ashtu siç e menaxhoi”, thotë Petkoski.