Shërbimet e Inspektimit në Maqedoni në periudhën prej 19 deri 22 mars të këtij viti, kanë kryer gjithsej 11.358 inspektime në terren, në drejtim të zbatimit të masave të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Kryetarja e Këshillit të Inspektimit Magdalena Filipovska-Grashkoska, sot në konferencë për shtyp tha se Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer gjithsej 9650 inspektime, me çka janë mbyllur 21 objekte hotelierike edhe atë në Shkup, Kumanovë, Manastir, Koçan, Gostivar dhe Strugë.

Në të njëjtën periudhë, Inspektorati i Tregut ka kryer 869 inspektime për kontroll të ngrirjes së çmimeve, ku kanë vërtetuar se disa tregtarë të shitjes me pakicë e kanë ndryshuar çmimin e disa prodikteve. Subjektet janë angazhuar që të reagojnë menjëherë dhe t’i kthejnë çmimet që kanë qenë nga 11 marsi i këtij viti.

Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor, në këtë periudhë ka kryer gjithsej 11 inspektime dhe ka konstatuar se në përgjithësi respektohen masat qeveritare.

Nga ana e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari janë zbatuar gjithsej 189 kontrolle, me çka janë konstatuar parregullsi të caktuara.

Kurse nga ana e Agjencisë për Ilaçe (Malmed) janë kryer dhjetë inspektime.