Identifikimi i 45 të vdekurve në fatkeqësinë e rëndë të 23 nëntorit do të bëhet pasi që të merret material biologjik nga të afërmit e viktimave. Pritet kjo të zgjasë së paku shtatë ditë dhe kur të përfundojë do të organizohet bartja e mbetjeve të tyre mortore nga Bullgaria në vend.

Në takim me kryeprokurorin kompetent, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dje në Sofje bisedoi që të përshpejtohet grumbullimi i materialit biologjik nga të afërmit, i cili duhet të krahasohet me ADN-në e viktimave, për çka në Shkup do të dërgohet një ekip i hetuesve bullgarë. Pas përfundimit të identifikimit të të vdekurve, MPJ përkatësisht shteti, tha Osmani, do t’i marrë trupat dhe do të organizojë transportin deri në Shkup.

Ai dje i vizitoi edhe shtatë udhëtarët të cilët i mbijetuan fatkeqësisë dhe tha se janë në gjendje stabile dhe të mirë në përgjithësi, por disa prej tyre janë në gjendje të rëndë psiqike dhe u nevojitet ndihmë profesionale.

Ata ndodhen në spitalin në Sofje “Pirogov” – gjashtë janë hospitalizuar në Klinikën për djegje dhe kirurgji plastike dhe njëri në traumatologji dhe u janë bërë të gjitha intervenimet urgjente të nevojshme.

Ministria jonë e Shëndetësisë kumtoi se të gjithë shtatë pacientët do të mbeten për mjekim spitalor, e më pas do të bëhet plani për transportin e tyre në Shkup.

Në hetimin për fatkeqësinë e autobusit që pardje ndodhi në autostradën “Struma” po punon Prokuroria bullgare, ndërsa shefi i diplomacisë pret rezultate të shpejta.

“Mora përshtypje se këtu, në Prokurorinë e Bullgarisë, i është dhënë prioritet i lartë këtij hetimi dhe se seriozisht janë të zënë që sa më parë të dalin me rezultate. Shpresoj se ky hetim do të zhvillohet hollësisht në mënyrë që të caktohen shkaqet e vërteta të tragjedisë”, deklaroi Osmani.

Me prokurorin hetues, tha, biseduan edhe për spekulimet lidhur me shkaqet e fatkeqësisë, duke përmendur se ato janë të dëmshme për hetimin, e shtyjnë, e përkeqësojnë gjendjen edhe ashtu të rëndë emocionale të familjeve.

Ekspertët dhe hetuesit punojnë në përcaktimin e lëvizjes së autobusit, vendet ku ka pushuar dhe shpejtësinë me të cilën ka lëvizur. Është formuar ekip me përfaqësues të Agjencisë për infrastrukturë rrugore dhe nga Drejtoria për kontroll nacional në ndërtimtari në Bullgari, e cila në afat prej pesë ditëve duhet të kryejë ekspertizë ku ka ndodhur fatkeqësia. Në bazë të rezultateve dhe kontrolleve duhet të prezantojë raport për gjendjen e aksit, si dhe të vlerësojë çfarë masa do të ndërmerren për ripërtëritjen e saj.

Ekspertët bullgarë të sigurisë në rrugë cekin shkaqe të mundshme për fatkeqësinë e rëndë, si shenja të zbehta horizontale në rrugë, mungesa e sinjalizimit rrugor, gjendja e keqe e sinjalizimit reflektues, kontrabanda e mundshme e derivateve apo gabimi njerëzor… Sipas Rumen Radevit, autobusi dy herë ka pasur ndalje, ndërsa vozitësi nuk ka fjetur. Ai pohon se autobusi është djegur që para se ta marrë rrethojën mbrojtëse nga kthesa.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dje informoi se ndërmarrjes-transportuese “Besa trans BTB” i merret licenca për punë, përkatësisht i ndalohet ushtrimi i veprimtarisë. Kumtoi se për autobusin në të cilin jetën e humbën 45 udhëtarë nuk ka pasur ekstrakt nga licenca për kryerje të transportit të lirë ndërkombëtar, e as ndërkaq, për lloj tjetër të transportit publik të udhëtarëve, ndërsa automjeti nuk është evidentuar në evidencën elektronike të licencave të dhëna.

Në kumtesë u cek se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka regjistruar katër automjete të licencuara të ndërmarrjes “Besa trans BTB”, por mes tyre nuk është autobusi që u dogj pardje.