Për Gjermaninë është e pakonceptueshme të jepet dritë jeshile për negociatat me BE vetëm për Shqipërinë, ndërsa jo për Maqedoninë e Veriut, tha ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Hollshtajn.

“Për udhëzime vendimtare në procesin e zgjerimit të BE-së është i nevojshëm pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare. Ashtu si korniza negociuese mund të pranohet vetëm unanimisht, datë për konferencën e parë ndërqeveritare do të ketë vetëm kur të gjitha vendet anëtare të kenë dhënë pëlqimin e tyre. Për Gjermaninë nuk është konceptueshme vetëm për Shqipërinë të jepet dritë jeshile, ndërsa Maqedonia e Veriut të lihet. Maqedonia e Veriut tashmë kohë më parë i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave të pranimit, fillimi i tyre është i merituar dhe i vonuar. Kjo është gjithashtu në interes të besueshmërisë së procesit të zgjerimit dhe kredibilitetit të BE në rajon”, deklaroi ambasadorja gjermane Holshtajn për “Sloboden peçat”.

Më parë, edhe Ministri gjerman për Evropë, Mihael Roh tha se Berlini është i përkushtuar që Shkupi dhe Tirana në qershor t’i fillojnë së bashku bisedimet e pranimit.

“Gjermania e mbështet qëllimin e Presidencës portugeze të BE-së për ta mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor. Të dy vendet i kanë kryer reformat e kërkuara – tani duhet edhe BE ti kryej. Vonesa e mëtejshme e minon kredibilitetin e BE-së dhe stabilitetin e rajonit, shkroi Rot në Tuiter, si reagim ndaj deklaratës së eurokomisarit për Zgjerim, Oliver Varheji për Euronjuz se Brukseli mund t’i fillojë bisedimet e pranimit me Tiranën, nëse Shkupi dhe Sofja nuk arrijnë një zgjidhje të pranueshme për mosmarrëveshjen historike.