Aleatët do ta përforcojnë praninë e tyre në rajonin e Detit Mesdhe si përgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe NATO këtë vit është duke u zgjeruar me Maqedoninë e Veriut si anëtarja e 30-të me radhë, deklaroi ambasadorja amerikane në NATO, Kej Bejli Hatçinson.
Në një video në pres konferencën e organizuar mbrëmë në pritje të shënimit të 70-vjetorit të krijimit të NATO-s, që me dy evente të ndara do të mbahet me këshillin ministror gjatë kësaj jave në Uashington dhe me samitin e liderëve në dhjetor në Londër, Hatçinson tha se Rusia vazhdon ta destabilizojë Ukrainën dhe ta militarizojë gadishullin e Krimesë.
“Agresioni me konfiskimin e anijeve ushtarake ukrainase dhe ndalimin e marinarëve është tërësisht e papranueshme dhe bëjmë thirrje ata menjëherë të lirohen”, deklaroi Hatçinson.
Shtoi se aleatët do ta përforcojnë praninë në rajonin e Detit të Zi, me më shumë mbikëqyrje të terrenit dhe praninë gjithnjë e më të madhe ushtarake me anije të vendeve të NATO-s.
Lidhur me vendimin e shënimit të 70-vjetorit të mbahet me dy raste të ndara, në Uashington dhe në Londër, Hatçinson tha se kryeqendra amerikane do të jetë nikoqire e këshillit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ndërsa në Londër do të mbahet samit i liderëve.
“Marrëveshja për krijimin e Aleancës u nënshkrua më 4 prill, por për shkak të asaj që para më pak se një vit patëm samit të liderëve ishte më logjike në Uashington të shënohet me këshillin ministror, derisa Londra nuk ofrohet të jetë nikoqire e samitit, i cili me siguri do të mbahet këtë vit në dhjetor”, zbuloi ambasadorja.
Ajo tha se menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes në vitin 1949, Londra ka qenë selia e parë e NATO-s dhe kryeqendra britanike ka kërkuar atje të shënohet 70-vjetori.
Hatçinson edhe njëherë konfirmoi se protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë pritet të miratohet nga Kongresi amerikan këtë vjeshtë.
“Në Evropë, kontinent i cili ishte ndarë prej luftërave, mbisundon paqja për 70 vite dhe ky është sukses i madh… Nga 12 anëtare në 29, ndërsa deri në fund të këtij viti edhe me të 30-ën, NATO vazhdon të luaj rol kyç në paqe dhe stabilitet në Evropë”, deklaroi ambasadorja Kej Bejli Hatçinson.
Comments are closed for this post.