Modeli i ri zgjedhorë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka hapur debat të gjerë publik. Çdo subjekt politik po jep propozime se si duhet të duket modeli i ri zgjedhor.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve Flaka, deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, Artan Grubi mbron qëndrimin e partisë së tij, që njësitë zgjedhore të mbeten në numër aq sa janë aktualisht, pasi që në këtë formë garantohet përfaqësimi më i mirë i të gjithë komuniteteve në Kuvendin republikan.
“Ne si parti kemi bërë studime të hollësishme të modeleve zgjedhore brenda viteve, përfshirë dhe simulime të rezultateve të kaluara zgjedhore me modele të ndryshme. Duke parë rezultatet e simulimeve por edhe rrethanat në vend, vleresëjmë se Modeli aktual me 6 njësi zgjedhore garanton përfaqësimin më të mirë të të gjitha komuniteteve në Kuvend”, deklaron për Flaka deputeti Grubi.
Sa i përket listës së hapur zgjedhore, deputeti Grubi deklaron që BDI në parim mbështet këtë formulë, por paraprakisht të bëhet edukimi adekuat i trupit votues, me qëllim që të evitohen fletëvotimet e pavlefshme që mund të vinin si pasojë e ndryshimit të mënyrës së votimit.
“Sa i përket listave të hapura, në parim nuk kemi asgjë kundër të zbatohet ky parim, por atëherë kur do të edukohen drejt dhe hollësisht votuesit për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës për të evituar fletëvotime masive të pavlefshme nga pakujdesia”, shprehet deputeti Grubi në prononcimin për Agjencinë e lajmeve Flaka.
Ndryshe, tek blloku politik maqedonas, po ashtu, ka ndahsi sa i përket modelit të ri zgjedhor. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski propozoi model të ri zgjedhorë me 120 njësi zgjedhore dhe me një raund zgjedhorë, sakaq, kryeministri dhe njëherit lideri i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi se partia e tij mbështet modelin një njësi zgjedhore, por edhe me lista të hapura me argumentin se do të avancohet demokracia në vend.
Comments are closed for this post.