Maqedonia është në zonën e kuqe sa i përket sëmundjeve të zemrës, ndërsa mjekët po i shqetëson edhe fakti që po rritet numri i të rinjve nën 40-vjeç që preken nga  probleme kardiovaskulare. 1 në 5 pacientë me atak në zemër është më i ri se 40 vjeç tregojnë statistikat, e këtë e vërtetojnë edhe mjekët.

“Më të prekur janë mosha mesatare, por për fat të keq kohën e fundit apo vitet e fundit kemi raste edhe te moshat e reja si hipertension dhe obezitet, majmëria ose pesha e tepërt që manifestohet me probleme të rëndësishme shëndetësore, sëmundjet kardiovaskulare janë më të përhapura tek meshkujt mbi moshën 40 vjeçare ka edhe deri në moshën 25 vjeçare, 30 vjeçare”, tha Fadil Murati, spec.internist.

Hipertensioni, ose shtypja e lartë i gjakut, është një nga faktorët më të mëdhenj të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare. Fatkeqësisht, ashtu si tendenca e sulmeve në zemër, incidenca e hipertensionit po rritet më shpejt tek të rinjtë sesa tek të moshuarit. Presioni i lartë i gjakut i bën muskujt e zemrës të trashen, dëmton enët e gjakut dhe rrit rrezikun për një atak në zemër. E kjo vjen prej shumë faktorëve.

“Kemi ndryshim të jetës, mënyra e ushqimit nuk është adekuat, ushqime jo të shëndetshme me shumë yndyrë, konsumimi i alkoolit në mënyrë të tepruar, bëhet abuzim me alkoolin dhe ushqimin, vizitat jo të rregullta tek mjeku, moszbatimi i udhëzimeve të mjekëve si duhet, po ashtu edhe sistemi shëndetësor le për të dëshiruar mjaft të gjithë këto faktor e mbajnë Maqedoninë në zonën e kuqe të sëmundjeve kardiovaskulare”, theksoi Fadil Murati, spec.internist.

Shpesh janë hedhur hipoteza se rritja e numrit të sëmundjeve të zemër u shtua pas vaksinimit kundër virusit korona, por specialist internisti Fadil Murati hedh poshtë këto pretendime duke thënë se vaksinat kanë qenë mbrojtje nga virusi dhe vaksinat kanë ekzistuar gjithmonë në historinë e mjekësisë, andaj nuk kanë të bëjnë aspak me shtimin e numrit të sëmundjeve të zemrës./lajmpress.org