Policia gjermane ka zhvilluar një aksion të madh në pesë shtete federale. Qindra policë kontrolluan pronat e mbështetësve të Hamasit. Sipas mediave gjermane, janë kontrolluar 21 objekte dhe prona që dyshohet se i përkasin dy grupeve të ndaluara në shtetin gjerman, Samidoun dhe Hamas.

Në këtë aksion thuhet se u konfiskuan libra dhe shënime, përmbajtja e të cilave po analizohet. Shërbimi inteligjent gjerman, vlerëson se Hamasi ka rreth 450 anëtarë në këtë vend.

Aktivitetet e tyre kalojnë nga shprehja e simpatisë dhe aktivitetet propagandistike deri tek aktivitetet financuese dhe mbledhja e fondeve për të forcuar organizatën jashtë vendit. Lidhur me këtë ngjarje u deklarua edhe ministrja Federale e Brendshme, Nancy Faeser.

“Duke ndaluar Hamasin dhe Samidoun në Gjermani, ne kemi dërguar një sinjal të qartë se nuk do të tolerojmë asnjë vlerësim apo mbështetje të terrorit barbar të Hamasit kundër Izraelit”, tha ajo.