Grupi ushtarak privat rus Wagner po tërhiqet nga Bakhmut, një konfirmim ka ardhur edhe nga Kievi. Sipas mediave të huaja, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, thotë se inteligjenca sugjeron se trupat nga forcat e armatosura ruse po zëvendësojnë tani trupat e Wagner.

Komentet e saj duket se  të paktën pjesërisht, konfirmojnë një njoftim nga themeluesi i Wagner Yevgeny Prigozhin se grupi i tij kishte filluar të tërhiqej nga qyteti lindor i Ukrainës.

Wagner ka qenë shumë i përfshirë në luftimet për Bakhmutin, i cili ka qenë në qendër të një prej betejave më të gjata dhe më të përgjakshme në luftë deri më tani.

“Në rrethinat e Bakhmutit, armiku ka zëvendësuar njësitë Wagner me forca të rregullta të ushtrisë. Brenda vetë qytetit, mbeten luftëtarët e Wagner”, shkroi Maliar në komentet në aplikacionin Telegram. Prigozhin tha në një video se tërheqja e njësive të tij kishte filluar herët të enjten dhe se një dorëzim i pozicioneve të Wagner do të vazhdonte deri më 1 qershor.