Flamuri i Maqedonisë së Veriut pasdite është ngritur para selisë së NATO-s në Bruksel, në ceremoninë me të cilën u shënua inkuadrimi zyrtar i vendit në Aleancën Verialtlantike.

Flamuri u ngrit derisa u interpretua himni i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Para ngritjes solemne të flamurit, mirëseardhje vendit tonë në Aleancën Veriatlantike i dëshiroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ne sot jemi mbledhur këtu t’i dëshirojmë mirëseardhje Maqedonisë së Veriut në familjen e NATO-s me ngritjen e flamurit, Tridhjetë flamuj tani do të valojnë së bashku si simbol i bashkimit tonë dhe solidaritetit. ky është moment historik për Maqedoninë e Veriut që vjen pas vitesh përkushtim dhe angazhim për reforma”, ka thënë Stoltenberg.

Ai theksoi se Marrëveshja e Prespës e mundësoi inkuadrimin në NATO dhe mundësoi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një të ardhme të ndritshme për Maqedoninë e Veriut.

“Puna juaj këmbëngulëse e mundësoi këtë ditë. Kjo është ditë për stabilizim, siguri dhe paqe të tërë Ballkanit Perëndimor”, tha Stoltenberg.

Ai potencoi se në kohërat si kjo, miqtë dhe aleatët janë më të rëndësishëm se kurrë më parë, ndërsa Maqedonia e Veriut i ka miqtë dhe aleatët më të mirë në botë. Së bashku jemi më të fuqishëm. Mirë se erdhët në NATO!, porositi Stoltenberg.

Ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut para selisë së NATO-s në Bruksel, përmes video lidhjes në Shkup e ndoqi edhe kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.

Procedura formale për anëtarësim në NATO zyrtarisht u mbyll më 27 mars pas deponimit të instrumentit për inkuadrim drejt Marrëveshjes veriatlantike në Departamentin amerikan të shtetit në Uashington, pasi paraprakisht aleatët në NATO e nënshkruan Protokollin për inkuadrim të Maqedonisë së Veriut në shkurt të vitit 2019, pas çka të gjithë 29 parlamentet kombëtare votuan për ratifikimin e anëtarësimit të vendit në Aleancë. .